Elbasani në përgatitjet e fundit për sfidën ndaj Egantias, Bordin kërkon maksimumin ndaj kampionëve

Elbasani po u jep dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes me Egnatian, që luhet këtë të diel në “Elbasan Arena”.

Verdheblutë shpresojnë të kthehen te fitorja dhe njëkohësisht t’i parakalojnë në klasifikim rrogozhinasit, që për momentin mbajnë vendin e parë. Për elbasanasit tani fillon i ashtuquajturi “turi i forcës”, sepse pretendentët vijnë me radhë, ndaj një fitore ndaj kampionëve në fuqi do të rriste së tepërmi moralin në skuadër. Nga ana tjetër, fakti që luan në shtëpinë e vet është një motiv ekstra për të dalë fitues nga ky 90- minutësh për Elbasanin.

Në tërësi në këto 5 javë të para skuadra e Elbasanit ka funksionuar, me lojtarët që kanë implementuar në pjesën më të madhe idetë e trajnerit Roberto Bordin. Mirëpo, edhe pse bëhet fjalë për vetëm pak javë, kanë nisur të dalin në skenë edhe defektet e para, që trajneri italian po përpiqet t’i evitojë sa të mundet përpara një ndeshjeje delikate si kjo me Egnatian. Konkretisht, problemi që kanë hasur elbasanasit deri më tani ka të bëjë me golat e pësuar nga goditjet standarde. Nga 4 golat e pësuar deri tani vetëm njëri ka ardhur me aksion, edhe ai me një gjuajtje nga distanca të Mandelës në fitoren 1-2 të Dinamos në Elbasan. Tre rrjetat e tjera kanë ardhur nga goditjet e ndaluara.

Një me penallti, ajo e Bregut në fundin e sfidës së përmendur më lart dhe dy të tjerat nga goditjet e këndit. Pikërisht harkimet në zonë nga të tilla goditje kanë bërë që në Elbasan të merren enkas me këtë pjesë në stërvitje, në mënyrë që të evitohen sa të munden në të ardhmen. Nga goditjet e këndit e kanë pësuar pikërisht në barazimet 1-1 ndaj Skënderbeut dhe së fundmi ndaj Tiranës. Për këtë arsye në klub kanë mbajtur shënime për gjërat që duhet të përmirësohen në vijim.

Nëse meraku është pësimi i golave nga goditjet standarde, ajo që e qetëson trajnerin Bordin është shënimi rregullisht i golave. Mjafton të thuhet se në të pesta ndeshje skuadra ia ka dalë të gjejë rrugën e rrjetës, ndonëse jo gjithnjë ka marrë rezultatin që ka kërkuar. Në njëfarë mënyre, shënimi i golit është një garanci më vete, pasi në një mënyrë apo tjetër do të vijë. Nëse verdheblutë tregohen më vigjilentë në prapavijë, mund të marrin më shumë. Por duhet theksuar se Egnatia ka një mbrojtje të fortë dhe duhet parë, nëse Elbasani do të shënojë apo jo.

Arena e Lajmit

Elbasani në përgatitjet e fundit për sfidën ndaj Egantias, Bordin kërkon maksimumin ndaj kampionëve

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook