Java e 6-të e kampionatit e gjen Bylisin në Shkodër, ku të dielën, në orën 17:00, do të ndeshet me Vllazninë.
Trajneri Emanuel Egbo ka punuar me skuadrën në aspektin psikologjik, duke qenë se skuadra pas 3 ndeshjesh jo të mira, ku ka marrë vetëm 2 pikë. Ai shpreson që skuadra të japë më të mirën në “Loro Boriçi” dhe të bëjë kthesën, edhe pse do të ketë mungesa.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i Bylisit ka theksuar: “Luajmë një ndeshje delikate këtë javë, sepse Vllaznia është skuadra më në formë e kampionatit. Kemi punuar këtë javë, ku ka pasur edhe prurje. Jemi të përqendruar te sfida e radhës, kemi mungesa, por ne kemi besim si staf se ata që do të zbresin në fushë do të bëjnë më të mirën. Bylisi është ekip i ri, ka pasur afrime thuajse çdo javë. Lojtarët kanë cilësi dhe besoj shumë tek ata, shpresoj shumë se do të reagojmë dhe do të shfaqim vlerat tona më të mira kundër Vllaznisë. Ky është kampionat shumë i fortë, ndaj dhe duhet të bëjmë maksimumin. Do të mundohemi të luajmë futboll ndaj çdo ekipi, duke pasur besim në vetvete. Në çdo fushë do të kërkojmë rezultat pozitiv, sepse nuk ta jep luksin kjo formulë të gabosh shumë. Është e vështirë të rikuperosh pikët”.
GJYKIMI – Trajneri i ballshiotëve preku edhe temën e gjykimit, duke iu referuar golit të dytë të pësuar ndaj Egnatias, që ishte i parregullt. “Gjyqtarët kanë punën e tyre. Ne duan vetëm drejtësi, të luajmë futboll “Fair-Play” dhe të shfaqim më të mirën si skuadër. Bylisi është një nga ekipet më të investuara, duam t’i japim bukuri garës dhe të bëjmë krenarë tifozët tanë. Shpresoj të ketë më shumë respekt për Bylisin”, tha trajneri Egbo në prag të sfidës me shkodranët.