4 gola të shënuar, karton i kuq, raste për shënim, rekorde, Man.City-Arsenal dhuruan një super sfidë, emocione deri në limite, por në fund dy ekipet ndanë nga një pika pas barazimit 2-2.
Në “Etihad” tifozët u bënë dëshmitar të një dueli fantastik që u zhbllokua që në minutën e 9-të ku i përhershmi Erling Haaland u shkëput shpejt duke dërguar topin në rrjetë. Ky ishte goli i tij i 105 në 100 ndeshje me Man.City duke barazuar rekordin e C.Ronaldo-s si lojtari i parë që kapte këtë shifër në Premier League me kaq ndeshje në dispozicion.
Goli i Haaland nuk befasoi Arsenal pasi Calafiori me një super gol në minutën e 22-të rikthehu baraspeshën. “Topçinjtë” nuk u mjaftuan me kaq pasi në minutën e 45-të, Gabriel me kokë kaloi Arsenal në avantazh. Pjesa e parë nuk kishte fund, por për të prishur këtë përmbysje të çmendur mendoi Trossard, me belgun që u ndëshkua për herë të dytë me karton të verdhë duke lënë ekipin e Artetas me 10 lojtarë.
Pjesa e dytë ishte ndeshje me një sens, me Man.City që zhvilloi një presion asfiksues në zonën e Arsenal. Pas disa tentativave, goli i barazimit erdhi në minutën e 98-të, ku Stons përfitoi nga një top i mbetur në zonë duke shmangur humbjen e Man.City.
Pep Guardiola nuk e hedh poshtë pikën e marrë përballë Arsenal, nuk gjykon as rivalët e tyre që bënë gjithçka për të vonuar lojën pasi mbetën me 10 lojtarë: “Mbase mund të bëja edhe unë të njëjtën gjë, gjithsesi për këtë duhet të pyesni Artetan, çfarë taktike kishte në mëndje. Unë mendoj se në fund morëm atë që meritonim”, u shpreh Guardiola.
I kënaqur me pikën e marrë u shfaq edhe Arteta: “Jam absolutisht krenar për këtë rezultat. Mënyra se si djemtë e mi luajtën edhe pse me një lojtar më pak ishte e shkëlqyer. Ishte e vështirë, jo më kot ata kanë 40 ndeshje që nuk pësojnë humbje në shtëpi”, u shpreh trajneri i Arsenal në konferencë për shtyp.
Pas javës së 5-të, Premier League kryesohet nga Man.City me 13 pikë, i ndjekur nga Liverpool dhe Aston Villa me 12 pikë, ndërsa Arsenal renditet në vendin e katërt me 11 pikë.
()