Në rubrikën “Opinion” në News24, ishte i ftuar pedagogu Ergys Mërtiri, i cili ka folur lidhur me nismën e krijimit të “shtetit bektashi” brenda shtetit shqiptar.
Mërtiri tha se nuk ka gjetur ende asnjë njeri që të mbështesë plotësisht këtë ide, apo dikë që të kuptojë plotësisht se çfarë nisme është kjo.
“Duket se asgjë nuk di gjë përveç Kryeministrit Edi Rama, madje edhe Baba Mondi nuk di gjë”, tha Mërtiri.
Ai tha se ka kundërshtime nga masa e gjerë, ndërsa shtoi se kemi një Kryeministër me mendësi totalitare që gjithçka e bën sipas mendjes së tij.
“Problemi është se këtu nuk ofrohet ideja për të diskutuar, por hidhet si një fakt i kryer. Tani ne duhet ti besojmë Kryeministrit meqë ai thotë se ka menduar ai për ne? Kjo nuk ndodh askund”, tha Mërtiri.
Pedagogu u shpreh se arsyeja që jepet se do të mbrojë tolerancën nuk qëndron, pasi nuk mbrohet toleranca duke privilegjuar një komunitet, kur ne kemi 4 komunitete fetare. “Është një ide që bie ndesh me Kushtetutën. Shikoni themelin e Kushtetutës, ku thuhet se Shqipëria është vend unik dhe i pandashëm. Gjithashtu flitet për barazi mes komuniteteve, ndërsa propozimi i ri shkel, duke favorizuar një nga komunitetet”, tha Mërtiri.