Policia në Tiranë ka finalizuar operacionin e koduar “Lucky ticket”. Në kuadër të operacionit janë arrestuar dy persona për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, parashikuar nga neni 197 i Kodit Penal.
Ndërsa, u shpall në kërkim pronari i një lokali, ku dyshohet se vendoseshin llotot sportive.
“Komisariati i Policisë Nr. 3 në vijim të punës për goditjen e veprimtarive të jashtëligjshme të lojërave të fatit, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Lucky ticket”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit K. S., 35 vjeç, dhe B. F., 54 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, parashikuar nga neni 197 i Kodit Penal.
Gjithashtu po punohet për kapjen e shtetasit G. H., pronar i një lokali në Rrugën e Barrikadave.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në dy lokale në zona të ndryshme të Tiranës, në aparatet celulare të dy shtetasve të arrestuar, u gjetën faqe që shërbejnë për vënien e basteve sportive.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan aparatet celulare.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
(Arena e Lajmit)