Suksesi në derbi bën me krah “djallin”, me Milan që feston në “San Siro” duke thyer Lecce me rezultatin e pastër 3-0. Ekipi i Fonseca-s dukej i kolauduar në perfeksion duke “çmontuar” Ramadani-n me shokë brenda pjesës së parë. Mesfushori kuqezi bën paqe me trajnerin Gotti, zbriti në fushë nga minuta e parë, por kjo nuk ishte mbrëmja e tij më e mirë, praktikisht si e gjithë skuadra, i vlerësuar nga mediat me notën 5,5.
Pas disa rasteve, Milan gjeti golin e avantazhit në minutën e 38-të, me Alvaro Morta që me kokë realizoi një gol shumë të bukur. Të shtyre dhe nga publiku, Milan spostoi Lecce në gjysmëfushë, tre minuta më pas dyshja Leao-Theo Hernandez ideuan dhe finalizuan një aksion shumë të bukur, me francezin që dyfishoi shifrat. Ky ishte goli i 29-të i Hernandez duke barazuar legjendën Maldini si mbrojtësi me më shumë gola me fanellën e kuqezi. Milan nuk u mjaftua me kaq, por 2 minuta më pas Pulisic sigloi shifrat në 3-0. Epërsia e trefishtë bëri që “djalli” të ulte ritmin, ndërsa Fonseca freskoi ekipin. I vetmi detaj negativ në këtë mbrëmje ishte kartoni i kuq i Bartesaghi-t.
“Milan fluturon lart”, shkruan La Gazzetta dello Sport në faqen e parë. “Të vijonin të fitonim pas derbit ishte shumë e rëndësishme. Ajo ndeshja na dha besim. Djemtë zhvilluan një ndeshje serioze, kishim momente të mira në fazën ofensive, gjithashtu nuk pësuam gol”, u shpreh Fonseca pas ndeshjes.