Nga Ballkani e Kosova “një realitet i pakthyeshëm”, te situata në Ukrainë dhe mbështetja ndaj saj, si dhe tensionet në Lindjen e mesme, dhe një zgjidhje me dy shtete Izrael e Palestinë, ishin temat qëndrore të fjalimit që kryeministri Edi Rama mbajti mbrëmjen e së premtes në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara.
“Sot popujt e Ballkanit kanë një moment të një mundësie historike në kontekstin e një rreziku historik më gjerë në Europë, ku agresioni rus kundër Ukrainës duhet të na shërbejë të gjithëve si një zile e përhershme alarmi”, u shpreh zoti Rama duke vënë në dukje se Ballkani Perëndimor është sot në një pozicion shumë më të mirë sesa ka qenë ndonjëherë, “por na duhet të punojmë pareshtur dhe me durim midis vetes sonë në rajon e mbi të gjithë me aleatët e partnerët tanë për t’u siguruar që kthimi në të shkuarën të jetë, jo vetëm i pamundur, po thjeshtë i paimagjinueshëm”, tha ai, raporton VOA.
Duke qëndruar në rajon, zoti Rama tha se “Kosova është një realitet i pakthyeshëm si shtet mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor me një perspektivë të qartë europiane e një aleancë të padiskutueshme ndaj komunitetit të madh demokratik të vendeve”. Sipas tij nuk mund të hiqen paralele mes saj dhe zonave të pushtuara të Ukrainës. Një gjë e tillë theksoi kryeministri shqiptar “ka për synim të shpërqendrojnë e të hutojnë këdo që është e mundur në këtë ndërtesë dhe të gjithë opinionin publik ndërkombëtar, por kurrë nuk mund t’ia arrijnë të zbehin të vërtetën që është: Kosova është tashmë një pjesë e pandashme e realitetit ndërkombëtar, një anëtare aspirante e komunitetit euroatlantik”. Ai tha më tej se Kosova “nuk duhet të mbahet peng nga askush me pretendime e justifikime të rreme, duke nisur nga grupi i 5 shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e njohin si vend me të drejtë, në çdo organizatë e forum ndërkombëtar”.
Duke folur për agresionin rus në Ukrainë, zoti Rama, ripërsëriti mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës “për aq kohë sa është e nevojshme dhe për aq kohë sa të arrihet një paqe e gjatë dhe e qëndrueshme”. Kryeministri shqiptar theksoi se “të gjithë ata që kërkojnë paqe, duke ndaluar Ukrainën, në vend që të ndalojnë agresionin neoimperialist të Rusisë e kanë gabim dhe duhet të jenë të vetëdijshëm për një të vërtetë shumë të thjeshtë, një paqe që është disfatë për Ukrainën do të sjellë vetëm agresion të mëtejshëm e do ta shndërrojë botën tonë në një botë që sundohet nga fuqia, jo nga e drejta”. Për zotin Rama, ajo që po ndodh në Ukrainë dhe veçanërisht udhëheqja e presidentit Zelenski “nuk është thjesht rezistencë dhe qëndresë ndaj një agresioni brutal kundër atdheut të tij, por në të njëjtën kohë është një qëndresë për vetë ekzistencën e demokracisë dhe një Evrope dhe një bote të drejtë e të mbështetur në rregulla”.
Duke u ndalur në tensionet në Lindjen e Mesme, kryeministri Rama u shpreh se “duhet të ri kalibrojmë busullën tonë morale në Lindjen e Mesme. Po, por nuk ka asnjë busull morale që të relativizojë dhe largqoftë, të normalizojë terrorin e një organizate terroriste si Hamasi si pjesë e paqes që të gjithë e duam mes Izraelit dhe Palestinës. Ta bësh këtë, do të ishte njësoj si të relativizoje murtajën e antisemitizmit e të pranoje të bashkë ekzistoje me një formë të mbrapshtë të re nazizmi, që është e keqja më e madhe që mund të kishte ndodhur për kaq shumë vjet së pari e mbi të gjitha, për vetë popullin palestinez”. Por nga ana tjetër, sipas tij “nuk është e vështirë të mos thuhet me zë të lartë e të fortë se kaq shumë dhunë e shkatërrim nuk mund të jetë zgjidhje afatgjatë si për Izraelin ashtu edhe për Palestinën dhe duhet të ndalet. Konfirmojmë edhe një herë këtu, mbështetjen kombëtare për një zgjidhje të drejtë e gjithëpërfshirëse të konfliktit izraelito-palestinez mbështetur në zgjidhjen me dy shtete”, deklaroi kryeministri Rama.
Rama foli edhe në lidhje me marrëveshjen me Italinë për emigrantët.
“Ju dhamë strehë disa mijëra refugjatëve iranianë. Paguam një çmim të madh për mikpritjen e tyre. Regjimit totalitar i Iranit u angazhua në një sulm kibernetik kundër Shqipërisë, por dështuan. Ne nuk u lëkundëm dhe nuk do të lëkundemi. Mikpritja jonë nuk është e lidhur me ndonjë qëndrim ndaj Iranit, por me bindjen tonë humaniste. Së fundmi i shtrimë dorën fqinjës, Italisë. Në vend që thjesht të flisnim u përpoqëm të vepronim, nuk qëndruam duarlidhur. Bëmë pjesën tonë”, tha Rama.