Deputetja demokrate Ina Zhupa ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me mënyrën se si efektivët e Gardës së Republikës penguan gazetarët, në mjediset e Parlamentit, gjatë kohës kur deputetë të opozitës tentuan të hyjnë në sallën e seancave plenare.
“Dënoj me forcë pengimin nga forcat e sigurisë të gazetarëve në krye të detyrës për të transmetuar të vërtetën mbi zhvillimet në ambjentet e Kuvendit të Shqipërisë.
Liria e medias është thelbësore për demokracinë dhe ushtrimi i lirë i profesionit është parakusht për informimin e drejtë dhe në kohë reale të qytetarëve”, thuhet në reagimin e deputetes Zhupa.
Në vijim ajo thekson se “është e papranueshme, është autoritare që gazetarët të cënohen fizikisht, të pengohen me forcë, në një ambient publik. Kjo është alarmante”.
“Pas qytetarëve, pas opozitës, tani rradha ishte e gazetarëve.
Regjimet autoritare lindin pikërisht kështu dhe Shqipëria është zyrtarisht shtet personal i një njeriu, pa Kushtetutë e pa ligj”, thekson ajo.