Opozita proteston sot në orën 18.00 para Kryeministrisë, një tubim i paralajmëruar të jetë ndryshe nga herët e kaluara, pa fjalime por me aksione konkrete në terren. Lidershipi i opozitës ka deklaruar se sot nis mosbindja civile. PD dhe partitë e saj aleate thirrën protestën kombëtare pas burgosjes së Ervin Salianjit. Opozita e konsideron drejtësinë të politizuar, ndërsa një nga kërkesat e forta të tyre mbetet qeveria teknike e cila do të organizojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2025-ës. Në këto momente mbështetësit e PD janë mbledhur në oborrin e selisë blu dhe më pas pritet që ata të marshojnë drejt Kryeministrisë. Protesta e sotme nuk pritet të ketë fjalime, ndërsa skenari më i përfolur është ai i bllokimit të akseve rrugore dhe kryeqëzimeve më të rëndësishme të Tiranës.
Zhvillimet minutë pas minute nga protesta
Ora 18.03 Shënohet akti i parë i mosbindjes civile, i vihet flaka një gome përballë Presidencës
Një gome automjeti i është vënë flaka përballë Presidencës. Policia ka ndërhyrë me fikëset e zjarrit. Mësohet se goma është djegur nga një protestues i opozitës.
Ora 17.50 Dule dhe Ndoka në selinë e PD
Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule i partisë PBDNJ dhe Nard Ndoka i Partisë Demokristiane i janë bashkuar protestës së thirrur nga Partia demokratike. Dule e Ndoka shihen ndërsa futen në selinë e PD para se të nisen drejt kryeministrisë.
Ora 17:48 Simpatizantët e PD mblidhen në oborrin e selisë blu
Mbështetës të opozitës janë mbledhur në oborrin e selisë së Partisë Demokratike, në pritje të marshimit drejt godinës së Kryeministrisë.
Ora 17:30 Policia “blindon” ndërtesat qeveritare
Forcat e Policisë kanë rrethuar godinat kryesore qeveritare, por edhe selinë e Parlamentit dhe Bashkisë së Tiranës. Në zonat pas godinës së Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme janë pozicionuar efektivë të trupave të FNSH si dhe autobotet me ujë. Gjithashtu në oborrin e Parlamentit janë stacionuar forca të shumta policore.
LIVE – Protesta e opozitës
()