Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kërkuar sot publikisht që qeveria të kthejë sa më shpejt profesionistëve të lirë paratë që u janë marrë padrejtësisht përmes një takse antikushtetuese.
Ajo shprehet se tashmë Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të tyre, Tabaku kritikoi vonesën e qeverisë për të përmbushur detyrimet ndaj kësaj shtrese që përbën mbi 30 mijë profesionistë të lirë në vend.
“Profesionistët e lirë punojnë çdo ditë në kushte të vështira dhe meritojnë respektin që u është mohuar nga qeveria. Ne si Partia Demokratike e kemi mbështetur këtë betejë që në fillimet e saj dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë tyre deri kur të marrin çdo qindarkë që u është marrë padrejtësisht,” tha Tabaku.
Ajo gjithashtu bëri thirrje për miratimin e propozimit të Partisë Demokratike dorëzuar nga ajo dhe kryetari i grupit parlamentar Bardhi që rregullon përfundimisht këtë situatë. “Nëse qeveria nuk dëshiron të pranojë propozimin tonë, atëherë le të bëjë një propozim tjetër, por të mos e vonojë më tej këtë çështje të rëndësishme për jetën dhe ekonominë e mijëra qytetarëve.”
Tabaku vuri theksin se, përveçse mund të përdoren vendime të Këshillit të Ministrave apo udhëzime të Ministrit të Financave për kthimin e parave, e rëndësishme është që të mos vonohet më tej zgjidhja e kësaj padrejtësie ekonomike që rëndon mbi profesionistët e lirë.
Teksti videos:
Profesionistët e lirë edhe sot e kësaj dite nuk e marrë ende pas pagesën që i kanë bërë shtetit për një taksë të padrejtë dhe antikushtetuese. Mbasi Grupi Parlamentar i shkoi deri në fund betejës për profesionet e lira në Gjykatën Kushtetuese, tashmë do t’i shkojë deri në fund, deri kur ato të marrin pagesën e fundit. Ne bëmë një propozim ligjor, një ligj që mendojmë se rregullon situatën për të gjithë ato profesionistë të lirë të cilët kanë paguar dhe qeveria në mënyrë arbitrare i ka vendosur këmbën në fyt për t’i marrë detyrimet e taksave megjithëse ishin të padrejta.
Po le mos ta marrin këtë ligj. Le ta hedhin tutje. Mos ta marrin parasysh. Por kanë gjithë mënyrën dhe hapësirën; qoftë me një vendim të Këshillit të Ministrave apo një udhëzim të Ministrit të Financave për ti kthyer profesionistëve të lirë të gjitha detyrimet që shteti ia ka marrë padrejtësisht. Janë 30 mijë profesionistë të lirë të cilët punojnë, çdo ditë nga mëngjesi deri në darkë në një treg shumë të vështirë dhe në një situatë akoma më të vështirë. Prandaj ato e meritojnë trajtimin me dinjitet dhe respekt. Një respekt që shteti nuk ia dha por ato e morën përmes gjykatës dhe padyshim me mbështetjen tonë.
Edhe pagesën që qeveria i detyrohet do ta marrin përsëri me mbështetjen tonë. Deri në qindarkën e fundit.
()