Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të martë një takim me kryebashkiakët në të gjithë vendin, ku të pranishëm ishin edhe të zgjedhurit e opozitës. Albert Mëlyshi, kryetar i Bashkisë së Mirditës, Rrok Doda i Pukës dhe Hilë Curri kryebashkiaku i Fushë Arrëzit ranë në sy në këtë takim.
Një ditë më parë opozita protestoi në Tiranë duke zhvilluar një mosbindje civile në rrugët e kryeqytetit duke kërkuar qeveri teknike dhe largimin e Edi Ramës. Sot shefi i ekzekutivit nuk iu referua për asnjë moment protestës, por prezencën e kryebashkiakëve të djathtë në takim e komentoi me batuta. Rama tha se drejtuesit vendorë të zgjedhur me siglën e PD i janë bashkuar “Partisë së Punës”.
Ndërsa në një moment tjetër ai ka pyetur: “Bashkia e Fushë Arrëzit ka ardh? Pse unë gjithmonë mendoj se ti je i Pukës?!”, tha Rama, duke pritur që fjalën ta merrte Hilë Curri, por në fakt ai që e kishte radhën për të shprehur shqetësimet e njësisë që drejton ishte Rrok Dodaj, kryebashkiaku i Pukës.
Batutat e Ramës
Edi Rama: Po përpiqem të bëjë një sintezë të arsyeve të këtij takimi. Faleminderit që keni ardhur të gjithë, falënderoj kryetarët e bashkive që nuk janë të partisë tonë të PS, por janë bashkë me ne në “Partinë e Punës”.
Rrok Dodaj: Përshëndetje zoti Kryeministër, unë jam kryetari i Bashkisë Pukë
Edi Rama: E di mo e di
Rrok Dodaj: Gjithmonë me Hilën e Fushë Arrëzit, meqë Puka është një por ne jemi të ndarë në dy bashki, ky mundohet me e ba Fushë Arrëzin qendër. Por kuptohet, ka ngel ajo e vjetra, Puka është e madhe, edhe të ndahet në 50 bashki, një ngelet.
Edi Rama: Nëse do ta hapi Hila këtë temë me ndonjë tentativë për referendum, unë me ça lidhjesh kam atje, do të them Fushë Arrëzi, por duhet me shpall Hilën kryetar të përjetshëm, se po iku Hila dhe erdhi tjetri, do duket Fushë Arrëzi si xhep fallco.
Rrok Dodaj: Patjetër, patjetër unë nuk jam xheloz. Unë ju falenderoj. Gjithë ky proces që u bë që në fillim edhe me ministrin e Shtetit, rezulton në fund se ishte diçka pozitive. Jo vetëm për pagat, por edhe mënyrën sesi u qas me legealizimet, me ato planet e menaxhimit, me këtë portalin e bashkëqeverisjes që është një vlerë për ne, banorët dhe problematikat.
Unë me të vërtetë jam një vit e gjysmë në mandat si kryebashkiak, jam ndër bashkitë që konkuroj me projekte të domosdoshme sepse është detyra jonë me i shërby çdo qytetari. Kam një vit e gjysmë që nuk gjej asnjë lloj mundësie, 0 investim në Bashkinë e Pukës.
Edi Rama: Je i sigurt?
Rrok Dodaj: Shumë i sigurt.
()