Kryetari i partisë së re në vend “Mundësia” dhe njëherazi deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Agron Shehaj ka zbuluar për gazetarin Endri Xhafo në emisionin “Log.” qëllimet dhe pritshmërinë e kësaj force politike.
Ai theksoi se e djathta shqiptare nuk është pakicë, por përballë një shoqërie të kapur dhe të trembur nga politika aktuale. “Ne synojmë të ofrojmë një qeveri të pakorruptuar,” deklaroi Shehaj duke shpalosur ambicien e partisë së tij.
Shehaj kritikoi qeverinë aktuale, duke e akuzuar për kontrollin mbi administratën dhe lidhjet e ngushta me oligarkinë, të cilat e favorizojnë atë në fushata zgjedhore. Ai e konsideroi situatën aktuale si të pashpresë për shumë shqiptarë, të cilët ndjehen të detyruar të mbështeten në politikë për të krijuar bizneset e tyre. “Pjesa më e madhe e popullsisë mendon se zgjedhjet janë kthyer në formalitet,” theksoi ai.
Sipas Shehajt, ndryshimi i vërtetë kërkon besim dhe angazhim afatgjatë.
“Kundër kësaj qeverie fitohet me besim. Në momentin që do i bindim qytetarët që jemi të besueshëm për një qeveri të pakorruptuar njerëzit do vijnë nga pas. Është një projekt afatgjat. Nëse situata është shumë e rëndë zgjidhja nuk mund të vijë nga dita në ditë. Rasti më i keq për ne do të jetë se do të duhet shumë më shumë punë”, tha ai.