Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa është rikthyer edhe një herë te protesta famëkeqe e 21 Janarit 2011, duke zbuluar në mënyrë ekskluzive një audio të regjistruar mes sh-kreut të Gardës, Ndrea Prendi dhe gardistëve në godinën e Kryeministrisë. Ai u shpreh se biseda mes pjesëtarëve të Gardës është kryer përmes një kanali të veçantë komunikimi, ndërsa tregoi se kjo audio është pjesë e materialit të plotë të dorëzuar në SPAK. Në episodin e parë të komunikimit në audio dëgjohet Ndrea Prendi duke urdhëruar vartësit e tij që t’i mbajnë armët në siguresë dhe të mos hapin zjarr. Në episodin e dytë ai porosit gardistët që të hapin zjarr luftarak për t’i asgjësuar, nëse protestuesit hyjnë brenda perimetrit të Kryeministrisë. Dhe episodi i tretë dhe i fundit i komunikimi është urdhri i Ndrea Prendit që gardistët të hapin zjarr manovër në ajër.
Komunikimi i Ndrea Prendit me efektivët e Gardës:
Ndrea Prendi: Të gjitha armët në Siguresë. Të gjitha armët në siguresë. Asnjë zjarr. Asnjë të mos hapë zjarr.
Ndrea Prendi: Nëse do të hyjnë brenda do të hapet zjarr luftarak për t’i asgjësuar.
Dashamir Shehu: Po, ju kuptova.
Ndrea Prendi: Mos hap zjarr luftarak. Akoma. Në ajër, në ajër. Zjarr manovër në ajër.
“Deri tani ka dalë vetëm një audio 40-50 sekonda. Është pjesa e urdhrave për vrasjet. Materiali i ri që del sot është para vrasjeve. Është pjesë e materialit të dorëzuar në SPAK. Pjesëtarët e gardës komunikojnë përmes një kanali të veçantë. Tregohet pikërisht momenti kur nisin të gjuajnë në ajër me fishekë manovër. Kjo dëshmon se cdo gjë është bërë me urdhër. Në audio është Ndrea Prendi dhe Dashamir Shehu. Nuk kanë marrë vendime gardistët atë ditë. Nuk mund të thuhet sot se situata i ka dalë nga kontrolli. Ai i kërkon Dashamir Shehit që nëse kalohet gardhi protestuesit do asgjësohen. Janë të përgatitur për të bërë vrasjet. Vrasjet ishin në gjakftohtës.
Regjistrimi është 4 minuta para se të ndodhnin vrasjet. Publikimi i audio-regjistrimit tregon se drejtuesit e Gardës e kanë pasur në kontroll situatën dhe gjithçka është bërë më urdhër të tyre, pra nuk ka ndodhur spontanisht. Së dyti, tregon se ata kanë qenë shumë gjakftohtë, sepse urdhrat kanë ardhur në mënyrë graduale. Audiopërgjimi tregon se momenti i vrasjes është parapërgatitur. 4 minuta përpara është dhënë urdhër që do të asgjësohen nëse kalojnë gardhet. Viktimat janë jashtë rrethimit të kryeministrisë. Vrasjet kanë ndodhur kur intensiteti i protestës kishte rënë dhe në bulevard ndodheshin vetëm 20% e protestuesve të ardhur”, u shpreh Hoxha.
Gjatë protestës së opozitës në 21 janar 2011 humbën jetën 4 mbështetës të opozitës, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, para kryeministrisë, prej të shtënave me armë zjarri që erdhën nga efektivët e Gardës së Republikës.
()