LEZHE
I ngritur brenda ambienteve të portit, pas një marrëveshjeje mes kryeministrit të Shqipërisë dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni, puna për ndërtimin e tij ka përfunduar.
Në hyrje të portës së çeliktë qëndrojnë disa efektivë të policisë italiane që do të kujdesen për sigurinë, ndërsa janë marrë të gjitha masat për të shmangur një arratisje të mundshme, që nga gardhi i lartë metalik i pa kapërcyeshëm e deri të kamerat e sigurisë me rezolucion të lartë.
Në këtë qendër pritjeje të zë syri të gjitha llojet e uniformave, nga ushtarë të armatosur, te Guardia di Financa, karabinieria dhe policia italiane. Secili me detyra të përcaktuara.
Autoritetet kanë marrë masa për të asistuar në çdo hap emigrantët që nga momenti që do të mbërrijnë, e derisa sa të nisen për në Gjadër.
Fillimisht ata do të ushqehen. Më pas do të ekzaminohen nga njekë dhe personel shëndetësor në këto ambiente të përshtatura si një Ambulancë brenda kampit dhe secili krahas dokumenteve të tjera do të ketë kartelën e vet shëndetësore.
Më pas në këto ambiente të ngritura enkas për këtë qëllim, do të pajisen me veshje të reja dhe do të asistohen nga shërbimi social i kampit, për t’ju nënshtruar më pas procedurave të azilit në zyrat e ngritura në katin e parë.
Zyrtarët italianë të kampit shprehen se procedura e aplikimit për azil është e njëjtë me procedurën që ndiqet në Itali dhe do të kryhet nga të njëjtat autoritete me zyrtarët italianë që kanë mbërritur dhe janë duke bërë testimet e fundit përpara ardhjes së grupit të pare të azilkërkuesve.
Pas përfundimit të gjithë kësaj procedure e cila është parashikuar që të zgjasë disa orë, brenda asaj dite emigrantët, me këto makina të policisë dhe karabinierisë italiane, do të transportohen 20 kilometra më tej, në kampin e sapo përfunduar
Gardhi rrethues metalik i Kampit të Gjadrit është rreth 5 metra i lartë, me disa gardhe dhe porta të hekurta të tjera, të vendosura në seksione të ndryshme të kampit.
Kjo është hyrja. Deri këtu detyrën për ruajtjen e perimetrit të jashtëm e ka policia shqiptare, matanë kësaj porte, janë trupat e armatosura italiane, efektivët e policisë italiane, ushtrisë, karabinierisë dhe Guardia di Financas qëndrojë në gatishmëri me detyra të përcaktuara për çdo trupë.
Në këto ndërtesa dy katëshe do të jetojnë pjesëtarët italianë të stafit. Që nga ai administrativ, e deri te ai policor e ushtarak.
Në katin e dytë janë fjetoret, ndërsa në të parin zyrat dhe mensa.
Për të arritur në pjesën ku do të jenë të vendosur emigrantët, duhet të ecësh rreth 10 minuta në këmbë, dhe të kalosh edhe një portë tjetër sigurie.
Mandej edhe një portë e trete rreth 5 metra e lartë duhet të hapet për të shkuar në vendin ku do të qëndrojnë azilkërkuesit.
Në dallim nga ndërtesat e administratës, fjetoret e emigrantëve janë njëkatëshe.
Kështu do të duket një dhomë emigrantësh. Në një hapësirë të ngushtë, janë të vendosur dy krevate marinari. Dhe në mes një tavolinë me 4 karrige. Aq sa do te jetë edhe numri maksimal i refugjatëve në një dhomë me përmasa kaq të vogla. Tualet nuk ka, as dush e as lavaman. Për shkak të hapësirës së vogël të dhomave të improvizuara, është menduar që ato të jenë kolektive, në një pjesë tjetër të kampit.
Në këtë oborr të brendshëm emigrantët mund të lëvizin lirisht, pa e kaluar portën, por të monitoruara 24 orë nga këto kamera me rezolucion të lartë, dhe efektivë.
Në fazën aktuale, kampi do të mund të strehojë 400 emigrantë që presin përgjigjen e azilit, në periudhën maksimale 28 ditore, por puna për zgjerimin e tij ende vijon. Sipas planit, kur i gjithë ndërtimi të ketë përfunduar, kampi do të mund të strehojë rreth 3 mijë emigrantë, përveç administratës që do të shtohet dhe pakësohet në varësi të numrit të azilkërkuesve që do të mbërrijnë.
Një gjykatë, me salla gjyqi, si ato që shohim çdo ditë është ngritur në këtë ndërtesë, e cila administrohet nga policia italiane e burgjeve. Në këto dhoma, do të gjykohen çështje civile dhe penale, me gjyqtarë, prokurorë e legjislacion Italian.
Brenda kampit ka edhe dy burgje. I pari për ata që do tu refuzohet azili dhe nuk do të pranojë të kthehen në vendet e tyre, dhe i dyti për ata që do të kryejnë vepra penale brenda kampit. Kushtet këtu, janë edhe më të vështira. Megjithëse në këtë kamp është lajmëruar se do të ketë vetëm azilkërkues meshkuj, në radhët e efektivëve të policisë ka edhe vajza e gra që do të shërbejnë.
Gardhe, porta metalike, policë, qeli, kamera sigurie, rrethim pas rrethimi dhe kushte të vështira për të jetuar normalisht.
Kjo është ajo që i pret në kampin e Gjadrit azilkërkuesit që do të ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm për të shkuar drejt brigjeve italiane, për një jetë më të mirë.
E nëse do të jetë apo jo kështu, secili mund ta gjykojë vetë nga këto pamje që sheh.