Në emisionin “Open” në News24 është diskutuar lidhur me ardhjen e 16 emigrantëve në qendrat e pritjes dhe akomodimit në Shëngjin dhe Gjadër.
Gazetari i News24, Renaldo Salianji, tha se janë larguar edhe dy emigrantë të tjerë, për shkak të problemeve shëndetësore, pas dy të miturve.
Salianji tha se në këto kushte në Shqipëri kanë mbetur 12 emigrantë.
“Mjekët italianë kanë bërë analizat e emigrantëve që kanë ardhur nga Italia. Dy prej tyre kanë rezultuar me probleme shëndetësore”, tha Salianji në një raportim për “Open”.
Ai tha se 12 emigrantët vijojnë të jenë në qendrën e pritjes në Shëngjin, ndërsa me shumë gjasë mund të transferohen nesër në Gjadër.
“Ndoshta janë në pritje të analizave shëndetësore. Një detaj është që autoritetet italiane nuk kishin marrë një përkthyes të gjuhës bengale për 6 emigrantët nga Bangladeshi, çka është pritur ardhja e një murgeshe që ndodhej në Lezhës, që të realizohej përkthimi”, tha Salianji.
Gazetari tha se procedurat për emigrantët zgjasin 28 ditë, ndërsa ata që fitojnë të drejtën e azilit do të transferohen në Itali.
Por kur do të niset anija tjetër me emigrantë?
Gazetari Salianji tha se kjo ka të bëjë me flukset e emigrantëve, të atyre që do të nisen dhe do të synojnë brigjet italiane. “Anijet italiane patrullojnë ujrat, në momentin që do të kapen në det ato hipin në anijet patrulluese dhe nisen për në Shqipëri, bazuar te marrëveshja”, tha Salianji.