Pastor Akil Pano në emisionin “Open” në News24 tha se pyetja që duhet të shtrohet është se sa e ndihmojnë Shqipërinë ardhja e emigrantëve, bazuar në marrëveshjen mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni.
Pano tha se nuk është fjala për 10, 20 apo 40 emigrantë.
“Në Europë janë mbi 1 mln refugjatë pa status. Amnisty International e ka cilësuar këtë eksperimentin si të rrezikshëm. Ajo marrëveshje ka nocione diskriminuese. Nga kjo marrëveshje këta fatkeqët trajtohen si mbetje, ndërsa ne si gjiriz”, tha Pano.
Ai tha se destinacioni i tyre nuk është Shqipëria. “Kjo histori do të ndodhte herët ose vonë. Janë larguar 1 mln shqiptarë, është çpopulluar ky vend, atëherë si do ta popullojmë. Ndoshta kjo është rruga, duke sjellë këta emigrantë”, tha Pano.
Ai tha se problemet e kësaj marrëveshjeje sapo kanë nisur dhe e gjithë çështja trajtohet në këtë formë, duke pasur mundësi vetëm të flasim.