Luan Baçi dhe Endri Shabani në emisionin “Log.” të gazetarit Endri Xhafo në News24 kanë komentuar çeljen e negociatave për grup kapitullin e parë me BE, si dhe hyrjen e Shqipërisë në Union në 2030.
Deputeti demokrat Luan Baçi tha se deklaratat që bëhen për hapjen e negociatave në 2030 janë mashtrime të Kryeministrit Edi Rama. Ai tha se Edi Rama ka njoftuar disa herë hapjen e negociatave në vitet e fundit, ndërsa ato u hapën së fundmi. Baçi u shpreh se anëtarësimin në BE të Shqipërisë nuk e vendos Edi Rama. Baçi tha se kemi denoncuar me ditë dhe muaj të tërë vjedhjen me fondet e IPARD dhe na thuhej se po sulmonim politikisht.
Ndërkohë, kreu i Nismës Thurrje, Endri Shabani, tha se jemi 11 vite të vonuar me këtë proces. Ai tha se kostot po i paguan populli shqiptar. Shabani tha se ka një vullnet të BE-së për të integruar Ballkanin Perëndimor, ka një vullnet të administratës publike, por kemi një pengesë që vjen nga politikant dhe oligarkët, që nuk duam që të jemi pjesë e BE-së, pasi nuk duan që të ketë treg të lirë.
Ai tha se shpresonte se mund të realizohej një anëtarësim i Shqipërisë në BE në 2030, nëse SPAK dhe GJKKO nuk sulmohen, nëse reforma e drejtësisë ecën përpara dhe kjo është një betejë që do të bëhet deri në 2030 dhe pas këtij viti. Shabani tha se përveç institucioneve të BE-së, do të jenë Parlamentet e të gjithë vendeve anëtare që duhet të miratojnë anëtarësimet.
“Është një çështjes komplekse, duhet të arrijmë standardet e BE-së, të kemi demokracinë në thelb. Edi Rama nuk po na çon në këtë drejtim. Na duhen institucione më të forta se individi. Në Qeverinë Rama kemi zv.ministrat e shkolluar në Universitet më të mira të Europës, ndërsa ministra kemi ato që na dalin në ato përgjimet “Sky””, tha Shabani.
Ai tha se merrni fondet për Bujqësinë, ku shkuan ato, u kthyen në resorte. Shabani tha se kjo çështjes është dërguar në SPAK nga Nisma Thurrje.