Kreu i Nisma Thurje Endri Shabani në emisionin “Open” në News24 duke folur për arrestimin e Presidentit të PL-së, Ilir Meta, tha se ish-Presidenti i Republikës ka kërcënuar, sulmuar dhe akuzuar direkt SPAK dhe kreun e Prokurorisë Speciale.
Shabani tha se Meta mund të ketë kundërshtuar agjentët e policisë ose BKH-së dhe ndaj e kanë nxjerrë forcërisht nga automjeti. Ai tha se Ilir Metën nuk mund t’a mbrojë njeri, ai është në burg sot. “Nuk përbën lajm mënyra se si u arrestua, por arrestimi i tij. Kam 34 vjet që e kam pritur, SPAK u ngrit për këta nga Edi Rama, te Sali Berisha e Ilir Meta”, tha Shabani.
Por analisti Arion Sulo tha se përderisa nuk ka kushte flagrance, pse duhej të arrestohej në formën e një flagrance.
“Pse nuk e arrestuan në zyrë, në shtëpi?”, pyeti Sulo, ndërsa Shabani tha “atje e kanë gjykuar dhe e arrestuan duke zbatuar një vendim Gjykate”.
Sulo tha se letërporositë mbaheshin aty, 10-11 ditë kishte SPAK që kishte kërkuar në GJKKO arrestimin, dhe u arrestua sot sepse kemi arrestimin e Jurgis Çyrbes dhe ato që dolën nga “Sky”.
“Pse nuk po flasim sot për Çyrben? U arrestua si kriminel për të tërhequr vëmendjen nga Çyrbja”, tha Sulo.