Mesditën e sotme, me urdhër të SPAK, u arrestua ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Ky i fundit u arrestua te Kthesa e Kamzës nga forcat operacionale dhe ato të BKH-së, ndërsa pamjet e publikuara nga News24, tregojnë momentet kur Presidenti i PL-së u nxorr forcërisht nga makina nga agjentët e policisë dhe ato të BKH.
Nuk dihet nëse ka pasur një përplasje mes Metës dhe policëve që mbanin maska në fytyrë që çoi në reagimin e fortë të tyre, për të nxjerrë forcërisht nga automjeti ish-Preisdentin.
Tedi Blushi ngriti dyshimet se në momentin e arrestimit të Metës nuk kanë qenë të pranishme efektivët e Gardës që e ruajnë atë për shkak të funksionit që ka pasur si President i Republikës.
Por si u arrestua Ilir Meta?
Gazetari i News 24, Igli Çelmeta ka zbardhur detajet. Ai ka sqaruar se nga momenti kur Ilir Meta ka hyrë në territorin shqiptar nga Kosova, dy automjete të BKH dhe agjentëve të policisë e kanë ndjekur automjetin ku ndodhej ish-Presidenti deri në momentin kur është vendosur ndërhyrja për ta arrestuar.
Çelmeta, referuar burimeve nga policia, tha se gjatë momenteve që ish-Presidenti ka qenë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ka pasur një përplasje të fortë mes tij dhe agjentëve të BKH-së. Gjithmonë duke iu referuar burimeve, Çelmeta tha se Meta ka hedhur akuza të forta drejt SPAK dhe ambasadës së SHBA në Tiranë.
Ish-Presidenti Meta ka qëndruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës për rreth 90 minuta dhe më pas është shoqëruar në atë që njihet si blloku i sigurisë.
Meta është ndaluar me akuzat e korrupsionit, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash. Ndaj Metës kishte nisur një hetim pasuror, ndërkohë që janë disa çështje që SPAK po heton ish-Presidentin, përfshi edhe një lobim në SHBA.