Deputeti i opozitës dhe kreu i LZHK, Dashamir Shehi, duke folur në emisionin “Open” në News24 tha se mënyra e arrestimit të Ilir Metës ishte e tepërt, mund ta kishin evituar qoftë për shtetin ashtu edhe për publikun.
Shehi tha se politikë bëjnë të gjithë, por nuk na arreston njeri të gjithëve.
“Mos bëjmë sikur nuk i dimë gjërat. Në 2011 u vranë 4 vetë për Ilir Metën, për atë videon që ia bëri kolegu i vet ministër. Ai ka mundësi të mbrohet, të ruajë dinjitetin e vet, por s’mund të themi tani që çdokush që arrestohet po bëhet politikisht”, tha Shehi.
Ai theksoi se do e shikojmë gjatë rrugës nëse është i fajshëm apo i pafajshëm Ilir Meta.
“Gjysma e opozitës e konsideron SPAK bandë kriminale. Pastaj në darkë ia çojnë SPAK letrat, si ka mundësi që i çojnë letrat te kjo banda kriminale?”, tha Shehi.
Silvana Caka nga Partia e Lirisë duke replikuar me Shehin tha se ka qenë Altin Dumani, kreu i SPAK, ai që ka kërcënuar Ilir Metën, duke çuar edhe mesazhe nëpërmjet gazetarëve që “e kam personale me ty”.
“Nuk janë muhabete këto që bëhen, pse nuk i denonconi? Keni prova? Altin Dumani, ia ka dhënë të drejtën Kushtetuta dhe ligji që ta marri Ilir Metën, si të ketë qejf. Ai mund ta arrestojë Metën, por Metës nuk ia ka dhënë të drejtën ligji që të shajë dhe ofendojë Dumanin si t’ia ketë qejfin. Ilir Metën e arrestuan për korrupsion, jo se akuzoi Dumanin”, tha Shehi.