Pasi barazoi me Elbasanin, Partizani e ka spostuar menjëherë vëmendjen në ndeshjen e radhës kundër Vllaznisë, e planifikuar për të shtunën në orën 19:30 në stadiumin “Loro Boriçi”.
Dje skuadra është lënë pushim, teksa sot të gjithë pritet të zbarkojnë në fushë, dikush për stërvitje e dikush për rikuperim. Tre lojtarë kanë probleme fizike dhe do të duhet të punojnë për tu rikthyer në kohë për ndeshjen me Vllaznisë.
Më shqetësuesja është gjendja e Pano Qirkos. Portieri u pa të vinte dorën në pjesën e kofshës kundër Elbasanit dhe luajti vetëm një pjesë loje. Sot ai do të kryejë ekzaminimin e nevojshëm për të mësuar nëse është kontraktim apo tërheqje. Fakti është se ndeshja me Vllazninë duket vështirë e arritshme nga gjirokastriti.
Problem muskulor shfaqi edhe Anteo Osmanllari, i cili la fushën i detyruar pas minutës së 60- të. Gazeta mëson se mbrojtësi i afruar në verë ka pasur vetëm një ngërç, i ardhur për shkak të ngarkesës dhe faktit se nuk ka shumë kohë është kthyer nga dëmtimi.
Ai nuk e rrezikon Vllazninë, ashtu siç nuk e rrezikon as Andi Hadroj. Pukjani mungoi kundër Elbasanit për shkak të një shqetësimi në gju, por me Vllazninë pritet të jetë i gatshëm. Pjesa tjetër e ekipit janë në gjendje të gatshme edhe nëse ndeshja luhet sot.