Gazetari Igli Çelmeta, i ftuar në studion e “Open” në News24 ka zbuluar detaje nga dosja e SPAK për ish-Presidentin e Republikës, Ilir Meta, duke e cilësuar atë si “një nga dosjet më të kopsitura” të Prokurorisë së Posaçme.
Ai përmendi se dosja përfshin tri procedime penale që lidhen me lobimin e ish-Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) në Shtetet e Bashkuara, si dhe një kallëzim lidhur me rastin CEZ-DIA dhe hetimin pasuror të çiftit Meta-Kryemadhi.
Sipas informacionit nga dosja, Pirro Xhixha është emëruar kryetar i AKEP në kohën kur Meta ishte kryetar parlamenti dhe Kryemadhi deputete, me sugjerimin e LSI. SPAK pretendon se Meta dhe Kryemadhi kanë pasur ndikim në emërimin e Xhixhës për të promovuar interesat e tyre në fushën e telekomunikacionit.
Sipas gazetarit SPAK tregon se është bërë presion për të lehtësuar futjen e fibrave optike dhe për lidhjen e marrëveshjeve të interkonjeksionit mes një kompanie private celulare dhe UNIFICO Communication Inc.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është se në telefonin e sekuestruar të Kryemadhit janë zbuluar prova që lidhen me lobimin e LSI në SHBA, përfshirë komunikime mes Kryemadhit dhe Adrian Shatkos, drejtorit ekzekutiv të Strategic Solution. Dosja thotë se ata komunikojnë si ortakë dhe bashkëpunëtorë në biznesin e interkonjeksionit të thirrjeve telefonike.
“Është një nga dosjet më të kopsitura. Prokurorët që kanë hetuar dosjen janë prokurorët më të rëndësishëm të SPAK. Dumani, Kraja dhe prokurori Sotir Kllapi. Bëhet fjalë për 3 procedime penale që lidhen me lobimin e LSI në SHBA. Një kallëzim lidhur me rastin CEZ-DIA dhe hetimi pasuror i dyshes Meta-Kryemadhi.
Sipas dosjes thuhet se Pirro Xhixha u zgjodh kyretar i AKEP kur Meta ishte kryetar parlamenti dhe Kryemadhi deputete me sugjerimin e LSI. Sipas SPAK Meta dhe Kryemadhi kanë ndërhyrë në emërimin e tij në krye të AKEP.
Thuhet që është ndikuar me qëllim futjen e fibrave optike dhe lidhjen e marrëveshjeve të interkonjeksionit mes një kompanie private celulare dhe UNIFICO Communication Inc. Në dosjen e lobimit të LSI rezulton se kjo kompani ka paguar kompaninë Strategic Solution që është marrë me konsulencën e LSI në SHBA, me drejtor ekzekutiv Adrian Shatko. Në telefonin e sekuestruar të Kryemadhit qëndron kutia e Pandorës së zbardhjes së lobimit të LSI në SHBA. Aty janë gjetur komunikime të Kryemadhit me Shatkon.
Në dosje thuhet se organi i akuzës ka arritur në konkluzionin se Shatko dhe Kryemadhi komunikojnë si ortakë dhe bashkëpunëtorë të biznesit të interkonjeksionit të thirrjeve telefonike”, u shpreh ai.