Çështja e njohjes së Kosovës, gjegjësisht heqja e vizave për qytetarët e Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, ishte në qendër të konferencës së sotme për media të anëtarëve të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës dhe presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili dje ishte në një vizitë zyrtare në Sarajevë.
Ndonëse delegacionet e të dy vendeve në takim diskutuan kryesisht për marrëdhëniet dypalëshe dhe integrimin evropian, në konferencën për media, kreu i Presidencës së BeH-së Denis Beqiroviç, anëtarët e Presidencës Zheljka Cvijanoviç dhe Zheljko Komshiç si dhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, u ndalën në çështjen e Kosovës, për të cilën nuk ekziston konsensus në Bosnje.
Presidenti i Shqipërisë përsëriti se pavarësia e Kosovës është “realitet i pakthyeshëm”.
“Kosova është dëshmuar të jetë partner i besueshëm i përkushtuar për forcimin e fqinjësisë së mirë. Në ndërkohë, ajo ka kontribuar aktivisht në bashkëpunimin rajonal dhe proceset integruese euroatlantike në Ballkanin Perëndimor. Njohja e Kosovës patjetër do të ndikojë në paqe, siguri, pajtim dhe stabilitetin rajonal”, tha presidenti Begaj.