Vangjel Zguro vijon të jetë një çështje te Partizani, edhe pse në fillim gjithçka u duk si një qortim i momentit për lojtarin. Siç dihet, ky i fundit, i kërkoi në njëfarë mënyre, llogari drejtuesve për aktivizimin e paktë, diçka që nuk u prit mirë dhe pasoi me pezullimin e lojtarit.
Ndeshja e fundit e Zguros me fanellën e Partizanit daton më 21 shtator, pra para më shumë se një muaji. Ishte pikërisht derbi i kryeqytetit, kur pogradecari zbriti në fushë në derbi, pas dëmtimit të Paulo Buxhelajt.
Në ndeshjen me Egnatian ai u përjashtua nga skuadra, një vendim që vijon të jetë ende aktiv. Zguro nuk stërvitet me ekipin e parë prej një muaji, teksa burime pranë klubit bëjnë me dije se ai mund të largohet në ditët apo në javët në vijim, pasi ka dalë nga planet e stafit. Nuk është çudi që për këtë vendim të ketë ndikuar fakti që Bytyçi ka arritur ta bëjë mjaft mirë mbrojtësin e majtë dhe nevoja e Zguros nuk është ndier.
31-vjeçari nuk është lojtari i parë që ndëshkohet te Partizani, pasi diçka të tillë e kemi parë edhe në të shkuarën me lojtarë të tjerë si Telushi, Da Silva, Sembene apo Maget.