Normat e interesit të kredisë së re për shtëpi në lekë ranë përsëri në muajin gusht, duke prekur nivelin më të ulët që nga viti 2022.
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të kredive të reja për blerje banesash nga individët në lekë zbriti në 3.66%, niveli më i ulët për këtë vit dhe njëkohësisht vlera më e ulët e regjistruar që nga shkurti i vitit 2022.
Norma mesatare e interesit të të gjithë portofolit të kredisë, përfshi sasitë gjendje, qëndroi në nivelin 4.56%, po aq sa në korrik dhe njëkohësisht në nivelin më të ulët që prej nëntorit 2022.
Rënia e normave të interesit këtë vit po mbështet një rigjallërim të kreditimit për blerjen e pasurive të paluajtshme nga familjet shqiptare.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit gusht portofoli i kredisë për shtëpi arriti vlerën e 199.6 miliardë lekëve, në rritje me 13.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kredia e re e disbursuar gjatë tetë muajve të parë të vitit arriti në 35.6 miliard lekë, 15% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në fillim të muajit korrik, Banka e Shqipërisë e uli normën bazë të interesit për herë të parë që nga viti 2020, duke krijuar premisa për ulje të mëtejshme të kostove të financimit.
Ndërkohë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën euro ngelet në nivele më të larta. Në muajin gusht, norma mesatare e interesit e kredisë për shtëpi në euro arriti në 6.38%, niveli më i lartë i raportuar për këtë vit.
Megjithatë, interesi mesatar për të gjithë portofolin (për sasitë gjendje) e ka frenuar tashmë rritjen, duke reflektuar ndryshimin e kursit të politikës monetare nga Banka Qendrore Europiane në treguesin benchmark, Euriborin 12-mujor.
Për gushtin, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë në euro ishte 5.35%, në rënie të lehtë nga dy muajt e mëparshëm.
Në Deklaratën e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit, Banka e Shqipërisë nënvizoi për herë të parë shqetësimin se kreditimi i ekonomisë këtë vit po rritet shumë shpejt dhe se është e nevojshme që ritmi i rritjes të ngadalësohet.
Më herët, në muajin qershor, Banka e Shqipërisë vendosi për herë të parë aplikimin e një shtesë kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar. Të gjitha bankat tregtare në Shqipëri duhet ta plotësojnë këtë shtesë pas një viti, duke filluar nga data 30 qershor 2025. Një shtesë e tillë ka si qëllim ngadalësimin e kreditimit, veçanërisht në segmentin e financimit të pasurive të paluajtshme./Monitor