Nga Kadastra te Prokuroria e Gjykata/ Ja si po bllokohen qindra dynym tokë në Lezhë. Gjithçka nisi në 2005 me falsifikimin e një prokure

Nik Palokaj është një nga banorët autoktonë të Malit Shëngjin në Lezhë dhe së bashku me fisin e tij Palokaj, janë ndër ish pronarët më të mëdhenj në Lezhë. Por gjithçka për ta ka ngecur pasi një prokure false, e firmosur nga noterja Zana Dema, ka hedhur në erë planet për investim.

Fisi Palokaj zotëron 101.7 dynym tokë në Malin e Shëngjinit, ndërkohë që 180 dynym në Malin e Rencit janë në Gjykatën e Apelit për kthim dhe kompensim prone. Sipas dokumenteve zyrtare, 101 dynymët Nikollë Palokaj i ka fituar nga Komisioni i Kthimit të Pronave me vendim gjykate të vitit 2005.

Por historia e Nikës është dramatike, sepse ai, edhe pse është bashkëpronar i tokës me vendim gjykate, prej 18 vitesh nuk merr dot pronën e vet. Këtë herë, nuk është regjimi si në diktaturë, por është “regjimi i ri i zyrtarëve të korruptuar” që po e privon nga prona e tij.

Nik Palokaj për Vetting shprehet “u plaka duke kërkuar dhe s’po di me i dal në fund, s’po më dalin rreshtat kurrkund”.

Ndërkohë që juristi Mevlut Derti shprehet se drejtësia e vonuar, është drejtësi e mohuar.

Por kush e bllokon pronën e fisit Palokaj?

Në këtë episod “Vetting”do të sjellë për herë të parë pengesat që kanë prodhuar një sërë institucionesh publike, duke filluar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës Lezhë, Prokuroria dhe Gjykata. Të gjithë këto, mbështetur nga një pjesë e politikës, kanë bllokuar prej 18 vitesh një pasuri të fisit Palokaj që shkon 6-7 milionë euro.

Kadastra Lezhë, nën hetim për të njëjtën shkelje

Në janar 2024, me vendim të Gjykatës së Lezhës u pezulluan nga detyra 11 zyrtarë të Kadastrës së Lezhës, sepse nuk zbatuan një vendim gjykate për pronat në zonën e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin.

Rasti në fjalë lidhej me tjetërsimin e 234 mijë metrave katrorë tokë shtet ranishte, tokë për të cilën është dënuar me burg edhe ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj me ish-zyrtarë të tjerë.

Sipas prokurorisë, gjykata kishte vendosur asgjësimin e praktikave për këtë pronë, por ASHK-ja Lezhë nuk kishte zbatuar vendimin e Gjykatës së Lezhës.

Ajo që të bën përshtypje është fakti se Nik Palokaj ndodhet në të njëjtën situatë pasi pret zbatimin e vendimit të gjykatës, por në këtë rast Prokuroria nuk ka filluar hetimet për të marrë masa ndaj drejtuesve të Kadastrës edhe pse ka patur vazhdimisht kallëzime.

Por çfarë ka ndodhur në rastin e Malit Shëngjin?

Në vitin 2005 është hartuar një prokurë false nga noterja Zana Dema në Lezhë së bashku me dy persona të tjerë, të cilët kanë shitur tokën e fisit Palokaj duke falsifikuar firmën e tyre, vepër penale për të cilën noterja dhe bashkëpunëtorët e saj janë dënuar nga Gjykata e Lezhës.

Me anë të vendimit 442/2006, kjo gjykatë i ka shpallur si të pavlefshme veprimet e kryera nga prokurat e falsifikuara dhe ka urdhëruar ish Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë, sot Agjencia Shtetërore e Kadastrës Lezhë, që të bëjë regjistrimin e pasurisë në emër të të gjithë ish pronarëve.

Madje, në transaksionet me prokurën e falsifikuar ka indicie për evazion fiskal, pasi sipërfaqja prej 101 mijë metro katrorësh është blerë me vlerë totale 2 milionë e 500 mijë lekë, një shifër shumë e ulët përsa i përket vlerës së tokës në atë kohë.

Denoncuesi Nik Palokaj ka kërkuar nga ish Zyra e Regjistrimit të Pasurive regjistrimin e pronës, por ASHK-ja ka dalë mbi vendimin e gjykatës duke deklaruar se transaksionet mbi pronën janë realizuar përpara vendimit të Gjykatës Lezhës në 2006.

Sipas përgjigjes në vitin 2016, ish Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka deklaruar se vendimi 442 i vitit 2006 është i pavlefshëm pasi prona është tjetërsuar te palë të treta.

Gjithashtu ish Zyra Qendrore asokohe deklaronte se vendimi nuk sillte asnjë pasojë juridike dhe në vendimin e Gjykatës nuk është marrë parasysh interesi i palëve të treta.

Juristi Mevlut Derti shprehet se “kemi të bëjmë me një shpërdorim detyrim, moszbatimi i një vendimi gjykate, për një institucion shumë të rëndësishëm siç është Agjencia Shtetërore e Kadastrës Lezhë.”

Për “Vetting”, Palokaj pohon se mori një përmbarues privat për të rimarrë pronën e tij, por kjo nuk ndryshoi asgjë sepse e njëjta përgjigje vinte nga ish Zyra e Regjistrimit.

Në disa raste, përmbaruesi privat i ka vendosur gjobë drejtuesit të  Zyrës së Regjistrimit Lezhë, Bledar Mulaj me vlerë 50 mijë lekë.

“Ia çova këtij përmbaruesit, pagova ato detyrimet shtetit, filloi përmbaruesi bam bam. Hoqi një jurist nga puna Prokuroria e Lezhës, u shua kjo punë duke u bërë palë juristi. Ky përmbaruesi u bë palë me palën hajdute, e paguan më shtrenjtë, ku di unë se si u bë ajo punë, por veçse sa herë shkoja, unë i thoja “hë mo ça je duke bërë, u plaka, do vdes”, shprehet Nik Palokaj.

Nika rrëfen se e ka patur të pamundur të bëjë regjistrimin e pronave dhe nuk ka lënë institucion publik pa iu drejtuar, por deri më sot asgjë nuk ka ndryshuar.

Endri Shabani thekson se “i gjithë bregdeti është i uzurpuar nga grupe të strukturuara kriminale ose nga oligarkë ose nga ata që janë një cik kështu edhe një cik ashtu. Pra, është e vështirë ti ndash grupet e strukturuara nga oligarkët dhe padyshim që këtyre u duhen instrumentat dhe këto instrumenta janë institucionet si në rastin e kadastrës, si policia, si bashkia.”

Arena e Lajmit

Nga Kadastra te Prokuroria e Gjykata/ Ja si po bllokohen qindra dynym tokë në Lezhë. Gjithçka nisi në 2005 me falsifikimin e një prokure

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook