Një sondazh i OSBE me deputetët dhe stafin e Kuvendit duket se ka sjellë reagimin e fortë të deputetit të PD-së, Tritan Shehu.
Shkak është bërë një pyetje që ishte në pyetësor, ku krahas gjinive “mashkull”, “femër”, ishte edhe opsioni të “tjera”.
Pikërisht ky opsion ka sjellë edhe reagimin e deputetit Shehu, sipas të cilit, Shqipëria me ligjet e saj, traditën e saj njeh zyrtarisht dy opsione seksuale: mashkull e femër.
Shehu në reagimin në rrjetet sociale thekson se ky është një “provokacion” i Zyrës së OSBE ndaj Kuvendit, a heqje vemendje për deformimet e demokracisë?!
“Në këto momente kaq errëta për demokracinë shqiptare e parlamentarizmin. Kur lideri i opozitës është izoluar politikisht, deputetë burgosen për denoncime, ish presidentë rrëmbehen me dhunë, parlamenti shkatërrohet, OSBE organizon një seminar për “përbërjen gjinore” të Kuvendit”, shkruan Shehu.
Ai thekson se ky nuk është momenti i përshtatshëm për të tillë pyetësore e seminare, kur OSBE duhet të kishte në qendër të saj zhvillimet e Kuvendit tonë.
“Por përtej kësaj, e gjej provokatore e ndesh me ligjet vendosjen e tre “opsioneve” për të përcaktuar seksin deputetet.
Në fakt e gjej edhe qesharake e fyese këtë pjesë, që bëri që unë të refuzoj të shfletoj më tej e pra të përgjigjem.
Pikërisht për këtë dëshiroj të pyes autoret e atij pyetësori e seminari:
Çfarë kuptojne ata me opsionin “të tjera” për seksin e deputetëve?!”, shkruan Shehu.
Ai thekson se Shqipëria me Kodin e Familjes njeh vetëm Familjen nga një burrë, një grua e me shpresë femijët, biologjike apo adotive ata.