Dy ndeshjet e fundit të xhiros së dhjetë të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll u zhvilluan të dielën, e ku Suhareka fitoi ndaj Prishtinës në një duel dramatik deri në fund, derisa përballja ndërmjet Malishevës dhe Dritës u mbyll pa fitues. Pas disfatës së javës së kaluar ndaj Ballkanit, Suhareka e gjeti fitoren në shtëpi ndaj Prishtinës, me rezultatin 2:1. Mevlan Zeka zhbllokoi rezultatin në minutën e 3-të. Prishtina reagoi në minutën e 30-të, kur mbrojtësi Ardi Ajdini shënoi golin e barazimit për 1:1. Megjithatë, vendasit rikthyen epërsinë në minutën e 68-të, kur Liridon Fetahaj realizoi gol përmes një soloaksioni, duke ia siguruar Suharekës fitoren. Në minutat shtesë të ndeshjes, Prishtina kishte një mundësi të artë për ta barazuar rezultatin, por Albin Krasniqi dështoi nga pika e bardhë. Pas kësaj fitoreje, Suhareka ka arritur në kuotën e 16 pikëve dhe renditet në vendin e katërt, ndërsa Prishtina ka po ashtu 16 pikë, duke zënë vendin e tretë.
Në ndeshjen tjetër, Malisheva dhe Drita ndanë pikët, pasi përfunduan pa gola në një përballje ku rastet e shënimit ishin të pakta. Drita mbeti me një lojtar më pak që nga minuta e 81-të, pas përjashtimit të Blerton Shejit pas dy kartonëve të verdhë. Pas këtij barazimi, Malisheva qëndron në pozitën e dytë me 18 pikë, aq sa ka edhe Ballkani në pozitën e parë, derisa Drita renditet në pozitën e pestë, me 15 pikë, por me dy ndeshje më pak të zhvilluara.