Tiranë – Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, priti sot në një takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nicholas Abbott.
Duke i uruar njëri-tjetrit suksese në detyrat e reja që kanë, ministri Hoxha dhe ambasadori Abbott shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, sidomos sa u përket çështjeve të sigurisë, luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të armëve dhe drogës, goditjen e transportit të parave dhe të migracionit të parregullt.
Duke theksuar lidhjet politike dhe partneritetin e fortë mes dy vendeve, ata vlerësuan bashkëpunimin për Dokumentin e Dialogut kundër Krimit të Organizuar (SOC Dialogue) dhe shprehën gatishmërinë për ta vijuar koordinimin për finalizimin e tij.
Palët theksuan se, bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për reduktimin e migracionit të paligjshëm përfaqëson një model të suksesshëm dhe e adresuan këtë dukuri të paligjshme si një prej sfidave më kritike, me të cilën përballen të dy vendet.
Gjithashtu, palët u dakordësuan për thellimin edhe më tej të bashkëpunimit dypalësh, në funksion të rezultateve më pozitive në të ardhmen, për t’u shërbyer akoma më shumë qytetarëve të dy vendeve respektive dhe për të rritur standardet e sigurisë.
(Arena e Lajmit)