Florian Haçkaj nga Diaspora Shqipëria e lirë, në një lidhje me Skype në emisionin Open në News 24 foli për protestën e organizuar ndaj kryeministrit Edi Rama në Nju Jork.
Haçkaj tha se protesta e organizuar prej tyre nisi, kur kryeministri Edi Rama tha se “është penguar që Shqipëria të jetë pjesë e BE”. Sipas Haçkës, në këtë moment një nga djemtë i ka thënë Ramës se ai është fajtori pse Shqipëria nuk po integrohet në Bashkimin Europian. Haçka theksoi se Diaspora për Shqipërinë e lirë dëshiron një Shqipëri ndryshe, atë që është e jetueshme.
Florian Haçkaj nga Diaspora Shqipëria e lirë: Dy djem në takimin e kryeministrit në New York bënë protestën dhe jam krenarë për ta. Rama ankohet për mosintegrimin e vendit në BE dhe fajin ua lë të tjerëve. Edi Rama thoshte se është penguar që të jemi pjesë e BE. Një nga djemtë i tha se pengesa ka qenë ai vetë. Na larguan dhunshëm. Aty kishte shqiptarë të Kosovës, Malit të Zi, që i mahnit flamuri kuq e zi, që nuk kanë problematikën e largimit të shqiptarëve nga vendi i tyre, siç ndodh me shqiptarët e Shqipërisë.
Ne donim të merrnim fjalën, por fjala nuk na u dha e situata përfundoi kështu. Vota e emigrantëve është sot ende e pasigurt, ne kemi Shqipëri të shpopulluar, kemi korrupsion masiv. Diaspora për Shqipërinë e lirë ka lindur që kur u shkatërrua Teatri Kombëtar. Ne vuajmë për një Shqipëri më të mirë.
(Arena e Lajmit)