Mbrëmja e së hënës ishte e mbushur me spektakël dhe emocione të forta për disa prej protagonistëve të sezonit të fundit në futbollin evropian. Kështu krahas Topit të Artë dhe çmimit të trajnerit më të mirë, të tjera çmime të shumë të rëndësishme u shpërndanë në mbrëmjen gala nga France Football.
Kështu Trofeu Kopa, që i jepet lojtarit të ri më të mirë, i’u akordua lojtarit të Barcelonës, Lamine Yamal, me futbollistin 17 vjeçar që ishte protagonistë me fitimin e trofeve të rëndësishëm si në nivel klubesh, po ashtu edhe me ekipin përfaqësues. Vetë Yamal u shfaq më shumë se i lumtur për marrjen e këtij çmimi dhe nuk ngurroi t’i falënderonte të gjithë ata që e kanë mbështetur në sezonin e fundit: Dua të falënderoj familjen time, trajnerët dhe të gjithë shokët e ekipit tim, jam shumë krenar për të gjithë, do të vijojmë të kërkojmë suksese të tjera në të ardhmen.
Çmimin “Gerd Muller” ndërkohë e fituan Kylian Mbappe dhe Harry Kane, në kuotë të njëjtë pikësh, me 52 golat e realizuar, të cilët janë lojtarët që kanë shënuar më shumë vitin e shkuar. Prezent në këtë ceremoni ishte vetëm sulmuesi anglez i Bayernit të Mynihut, që i emocionuar theksoi: Falenderoj Bayernin dhe France Football për çmimin, i cili ka një rëndësi të madhe pasi mban emrin e një legjende, që ka luajtur për klubin tim. Cili është sekreti? Puna e madhe dhe të besosh gjithnjë. Të tjera suksese shpresoj të na shoqërojnë në të ardhmen.
Ndërkohë për vitin e dytë rradhazi, trofeun “Yashin” e fitoi portieri argjentians, kampioni i Botës, Emiljano Martinez, si portieri më i mirë për sezonin e fundit.
Ndërkohë sa i takon “Topit të Artë” për futbollin e femrave, trofeu i’u akordua futbollistes së Barcelonës, Aitana Bonmatì, e cila e fiton këtë çmim për vitin e 2-të rradhazi. Sa i takon trajneres më të mirë, në futbollin e femrave, çmimi i shkoi Emma Hayes, trajnerja aktuale e SHBA.