Pa Messi-n dhe Ronaldo-n, me dy legjendat e futbollit botëror larg turneve të rëndësishëm, të parashikoje fituesin e “Topit të Artë” këtë sezon dukej e vështirë. Mediat, por dhe opinioni e bënin fakt të kryer suksesin e Vinicius jr, por në mënyrë befasuese pak përpara ceremonisë i gjithë delegacioni i Real Madrid, përfshi këtu Vinicius jr, Bellingham, Carvajal apo Carlo Ancelottit, braktisën ceremoninë e organizuar nga “France Football” dhe UEFA, duke lënë të kuptohet se fituesi nuk do të ishte një madrilen.
Në kushte të tilla nuk kishte më dyshime dhe ashtu ndodhi, fituesi i “Topit të Artë” për këtë edicion u shpall Rodri i Man.City. Me paterica në duar, mesfushori spanjoll mori trofeun më të rëndësishëm individual, mbase me meritë pasi kishte mbyllur një sezon fantastik duke fituar titullin në Premier League dhe mbi të gjitha “Euro2024”, turne ku u shpall edhe lojtari më i mirë. Sigurisht, ky vendim kapi jo pak në befasi edhe vetë Rodrin i cili nuk harroi të falënderonte të gjithë personat që patën ndikim, por kujtoi lojtarë si Xavi, Iniesta, mesfushorë të jashtëzakonshëm, të cilët nuk patën të njëjtin fat si ai:
“Kjo është me të vërtetë e jashtëzakonshme. Më duhet të falënderoj shumë persona, France Footnall, UEFA, familjen time, shokët e mirë në skuadër dhe në përfaqësuese. Falënderoj edhe për Carvajal i cili kishte të njëjtin fat të keq si unë dhe që e meritonte të ishte këtu. Një mendim më shkon edhe për lojtarë si Xavi apo Iniesta të cilët nuk e fituan kurrë këtë trofe. Jam me të vërtetë i lumtur, për vete dhe për kombin tim”.
Në bazë të votave, në vendin e dytë u rendit Vinicius jr, i ndjekur nga Jude Bellingham. Carvajal, Haaland, Mbappe, Lautaro Martinez, Yamal dhe Kroos dhe në vendin e 10-të Harry Kane.
()