Bashkëkryetari i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, Toni Gogu, gjatë fjalës së mbajtur sot në takimin e 18-të të këtij komiteti, evidentoi progresin e shënuar nga Shqipëria në rrugëtimin drejt BE-së, ku tashmë jemi ulur në tryezën e negociatave me Brukselin.
“Prej vitesh pritëm ditën kur Shqipëria do të kalonte përtej statusit të kandidaturës për të zënë vendin e duhur në tryezën e bisedimeve. Sot me krenari themi se kjo aspiratë është realizuar. Pasi kemi hapur grupkapitullin e parë, “Themeloret”, ne tani hyjmë në një fazë që sjell me vete përgjegjësi më të thella dhe të përbashkëta”, tha Gogu.
“Mosbesimi ndaj institucioneve të pavarura është një nga kërcënimet më serioze të demokracisë. Në demokraci nuk i bëhet gjyq gjykatës”, tha Gogu teksa përmendi gjithashtu Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit si një dëshmi e re përkushtimin të Shqipërisë për integrimin në BE në vitin 2030.
“Ky komision përfaqëson një moment historik në përpjekjet tona shtetndërtuese, duke u fokusuar në përafrimin e strukturave qeverisëse me standardet e BE-së për të krijuar një shtet më të fortë dhe më të përgjegjshëm. Duke intensifikuar veprimet tona legjislative dhe mbikëqyrëse në këto fusha kyçe, ne synojmë të trajtojmë korrupsionin në mënyrë më efektive, të përmirësojmë sundimin e ligjit dhe të përforcojmë institucionet tona demokratike. Ky Komision është një dëshmi e përkushtimit të Shqipërisë për integrimin në BE, duke siguruar që ne të ecim përpara me transparencë, integritet dhe një përkushtim ndaj besimit të publikut”, deklaroi Gogu.
Në vijim ai çmoi se ky progres i deritanishëm në rrugën e integrimit është gjithashtu edhe fryt i unitetit të treguar në spektrin politik shqiptar.
“Angazhimi ynë i përbashkët për të ardhmen evropiane të Shqipërisë i ka treguar botës se, pavarësisht dallimeve tona, ne qëndrojmë së bashku në këtë mision kombëtar. Tani, me ekipin tonë negociator në Bruksel, na takon ne të vazhdojmë t’i përkthejmë aspiratat tona në veprime legjislative dhe rezultate konkrete që përputhen me standardet e BE-së”, tha Gogu.
“Le ta përqafojmë këtë moment jo vetëm si një hap përpara në rrugëtimin e Shqipërisë, por si një testament për atë që parlamentet tona mund të arrijnë së bashku. Duke iu përkushtuar këtij vizioni të përbashkët, ne garantojmë që vlerat dhe e ardhmja e BE-së do të ndërtohen këtu, në Tiranë, po aq sa në Bruksel. Shqipëria i përket BE-së dhe e ardhmja e fëmijëve tanë qëndron brenda këtij komuniteti”, përfundoi Gogu.
Komisariati i Policisë Sarandë arrestoi shtetasin A. Sh., 20 vjeç, banues në fshatin Çukë, Sarandë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj motrës 22-vjeçare dhe vëllait të tij të mitur.