Nën presion nga ecuria e shkëlqyer e Napolit, Inter reagoi shpejt, lë pas atë barazim të çmendur 4-4 përballë Juves dhe del me 3 pikë nga transferta përballë Empolit, një sukses i pastër 3-0 që e ngushton diferencën në -4 nga kreu. Pa Calhangolu të dëmtuar dhe me Asllanin që nuk ofron garanci në sytë e tij, Inzaghi spostoi edhe një herë Barella-n në rolin e regjisorit, por ndeshja mori një tjetër rrjedhë pas minutës së 31-të kur Empoli mbeti me 10-të lojtarë.
Në pjesën e dytë stafetën e mori Davide Frattesi, me mesfushorin “azzurr” që realizoi një “dopietë” golash. Fillimisht ishte me fat teksa goditja e tij u devijua duke përfunduar në trekëndësh, ndërsa në minutën e 67-të u shërbye në zonë nga Martinez dhe me një goditje të saktë dërgoi topin në rrjetë. Për të sigluar shifrat në 0-3 mendoi kapiteni që konvertoi në gol assistin e Barella-s.
Kjo ishte një ndeshje speciale për Ardian Ismajlin, pasi këtë periudhë, sipas mediave italiane, futbollisti kuqezi ka tërhequr vëmendjen e klubit zikaltër, por kjo nuk ishte ndeshja e tij më e mirë i vlerësuar me notën 5,5.
Në përfundim të takimit, Simone Inzaghi u pyet nëse kjo fitore ishte një përgjigje ndaj Contes, ndaj Napolit: “Jo, ishte një përgjigje për veten tonë pasi këto dy ditë kemi pasur emocione mikse. Na mungonte diçka nga ndeshja e së dielës ku meritonim më shumë. Duhet të administrojmë mirë forcat pasi luajmë çdo 2-3 ditë”, u shpreh Inzaghi.
Për mediat pas suksesit 0-3 kundër Empolit foli edhe kapiteni Martinez i cili u pyet në lidhje me “Topin e Artë” ku u rendit në vendin e 7-të: “Sinqerisht prisja diçka më shumë, por unë punoj për Inter dhe për Argjentinën, shpesh këto trofe jepen në mënyrë të pa drejtë”, u shpreh Martinez.
()