Krimi nuk kursen as të pafajshmit. Një tjetër atentat mafioz në Shqipëri shkaktoi një viktimë që nuk ka lidhje me larjen e hesapeve mes grupeve kriminale, por u gjend në vendin dhe kohën e gabuar. Flutra Basha, e moshuara e Shkodrës humbi jetën pasi një automjet i bërë “shoshë” nga plumbat humbi kontrollin dhe goditi motorin ku udhëtonte ajo së bashku me bashkëshortin. Goditja rezultoi fatale për gruan, ndërsa burri i saj, Bashkim Basha përfundoi në spital në gjendje të rëndë. Bilanci i masakrës mund të rëndohet orët në vijim…
Dinamika e kësaj ngjarje është tragjike. Dy të rinj, Hamza Lici dhe Arlind Bushati humbën jetën, i pari në vendin e ngjarjes prej plagëve të marra nga breshëria e kallashnikovit dhe i dyti në spital ku kishte kaluar disa orë në “luftë” me vdekjen të cilën e humbi përfundimisht në orët e mbrëmjes së kësaj të mërkure. Atentati mafioz prodhoi tre viktima dhe një të plagosur rëndë.
Flutra Basha, viktimë e pafajshme
Flutra Basha i shtohet kështu emrave të tjerë që krimi nuk i ka kursyer gjatë hakmarrjes së pamëshirshme mes bandave. Jetët e pafajshme që po këputen në mes nga breshëria e plumbave mes atyre që kanë kusure ndaj njëri-tjetrit, sa vinë dhe rriten, ç’ka ngre alarmin se rendi dhe siguria në vend po bëhet gjithnjë e më e brishtë. Gruaja e moshuar e Shkodrës është dëshmia konkrete se si jeta e gjithsecilit është në fije të perit sa kohë qarkullojnë lirisht persona të armatosur apo planifikojnë atentate ndaj kundërshtarëve të tyre në sipërmarrjen kriminale. Por këto plane djallëzore që i përkasin botës së errët të krimit nuk pyesin për jetët e pafajshme që nuk e dinë se në X apo Y vend, rrugë, rrugicë, bar kafe, restorant apo kinema do të lëshohet batareja e të shtënave thjesht e vetëm se aty pranë gjendet objektivi.
Vrasja e kamarierit në Memaliaj
Jo më larg se 4 muaj më parë një atentat tipik i vrasjeve në masë rezultoi me një bilanc po ashtu dramatik, tre të vdekur. Mbrëmjen e 21 korrikut 2024 në një lokal në Memaliaj mbetën të vrarë Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa, kamarieri Gledio Muka dhe klienti Marsel Çela. Siç u mësua më pas, shënjestër e atentatit ishte Shyqyri Kalemi, por krahas tij plumbat nuk falën as Gledio Mukën që punonte për bukën e gojës dhe as klientin e lokalit i cili kishte zgjedhur që atë mbrëmje të ngrohtë korriku ta kalonte jashtë shtëpisë, deri në orët e vona. I ndodhur në vendin dhe kohën e gabuar i kushtoi jetën.
Banakierja e lokalit në Don Bosko
Por për ta kuptuar më mirë se si krimi i organizuar gabon në shënjestër duke vrarë të pafajshëm mjafton të kujtojmë atentatin e Don Boskos, në Tiranë, 12 marsin e vitit 2023. Një grua u qëllua për vdekje në vendin e saj të punës, në ambientet e një lokali. Një breshëri kallashnikovi nga një automjet në lëvizje nuk ka për qëllim të frikësojë, por plumbat përqendrohen të gjithë në një perimetër të vogël. 58-vjeçarja Mimoza Paja ishte në vendin e saj të punës kur iu mor jeta pabesisht. Nga kjo ngjarje nuk u kursye as mbesa e saj e mitur e cila mori lëndime nga thyerja e xhamave. Ndërsa 5 persona të tjerë morën plagë në pjesë të ndryshme të trupit nga plumbat, por fatëmirësisht nuk rezultuan në fatalitet. Atë pasdite të 12 marsit u qëllua me breshëri plumbash lokali i Fatjon Muratit, person i shumëkërkuar nga autoritetet. Ky i fundit është një personazh i njohur për policinë. Fatjon Murati dyshohet i përfshirë në masakrën e Fushë Krujës u ekzekutuan Brilant Martinaj, Besmir Haxhia dhe Diklen Vata. Gjithashtu, Fatjon Murati ka qenë i dënuar për armëmbajtje dhe posedim të municioneve pa leje. Prokuroria e Tiranës i ka sekuestruar Fatjon Muratit një pasuri me vlerë 5 mln euro.
()