Prej vitesh, Ivan Balliu është kthyer në një lojtar fiks në ekipin përfaqësues, por për fatin e tij të keq këto vite ka vuajtur shumë prezencën e Hysaj, pasi shkodrani ka qenë gjithnjë preferencë e parë, përjashto raste të rralla si në takimin e fundit të Ligës së Kombeve, atë kundër Gjeorgjisë, ku Sylvinho e aktivizoi nga minuta e parë.
Pavarësisht se në një moshë jo të re, 32-vjeç, Balliu luan në nivele të larta, në La Liga, ku është një titullar fiks në ekipin e tij Rayo Vallecano. Balliu ka një kontratë me klubin nga Madridi deri në fund të këtij sezoni, qershor 2025, një detaj i cili ka bërë që emri i tij të përfundojë në tregun e transferimeve.
Sipas mediave spanjolle, Balliu po joshet nga Valencia-s pasi klubi spanjoll kërkon një alternative për mbrojtjen pas dëmtimit të Thierry. Nuk është hera e parë që Valencia interesohet për Balliun pasi kanë kërkuar shërbimet e anësorit kuqezi edhe në të kaluarën.
Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Balliu është i lirë të negociojë me çdo skuadër, por gjithnjë sipas mediave spanjolle, Rayo nuk ka ndërmend të lë të lirë lojtarin, për këtë arsye pritet t’i ofrojnë rinovimin e kontratës, për të mos rrezikuar ta humbasin falas në fund të sezonit.
Në një situatë të tillë fjalën e fundit pritet ta thotë Balliu, do të jetë ai që do të vendos, të rinovojë kontratën e tij me Rayo, skuadër ku militon që nga viti 2021, apo të transferohet në Valencia.
()