Refugjatët, shteti bektashi dhe Europa/ Shkrimtari austriak Menasse, skaner Shqipërisë: Kryeministri e Skënderbeu, pjesë e romanit tim

Autori Robert Manasse, në një intervistë për gazetaren e Fatmira Nikolli, ka folur mbi romanin “Zgjerimi”.

Shkrimtari austriak rrëfen se në romanin e tij ka si personazh edhe kryeministrin e Shqipërisë, por se tregon që kurrë nuk e ka takuar atë.

Manasse tha se personazhin e ka ndërtuar vetëm mbi historitë të cilat i janë treguar mbi kryeministrin, duke qenë se vetë nuk e ka takuar kurrë atë.

Intervista e plotë:

Zoti Menase, mirësevini. -Në romanin tuaj “Zgjerimi”, Kemi Europën, Shqipërinë dhe personazhe të ndryshme. çfarë është “Zgjerimi”?

Isha i interesuar të njihja situatën në Shqipëri, meqë Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së. Në një anë është natyralisht pjesë e Europës, e në tjetrën, por nuk është ende anëtare e projektit të Bashkimit të madh Europian që do të përcaktojë, Europën dhe kontinentin në të ardhmen dhe jetën në të. Para disa vitesh, erdha në Tiranë, vendosa të jetoja pak muaj e të takoja shumë njerëz, të di çfarë shpresojnë e çfarë mendojnë. Kjo ishte pjesë e një projekti timit për të treguar narrativën e Europës së re. Kam shkruar një roman për Brukselin, qendrën dhe doja ta shihja Europën nga periferia, dhe një roman i tretë do të jetë, duke e parë Europën nga një shtet i BE-së që do që ta shkatërrojë BE-në nga brenda, si Hungaria. Dua pra të tregoj një panoramë të Europës.

 

– Në romanin tuaj ndjej një dashuri për shqiptarët dhe Shqipërinë, por më pas ju sillni një lloj analize, të asaj që ne jemi, me të gjitha problemet, historike, politike, reforma në drejtësi, etj. Eshtë letërsi, doemos, por ju analizoni rrugën tonë drejt Europës, dhe problemet tona me veten.

Jam përpjekur ta bëj. Nuk jam ekspert mbi Shqipërinë por mendoj se është e rëndësishme për çdo europian të dijë e të kuptojë, të gjitha pjesët e Europës, që të kemi një kontinent të tërë me diversitet. Kjo ka rëndësi për mua.

-Ju shkruani, që në Shqipëri askush nuk mund të bëhet artist, anarkist apo diktator pa studiuar në Paris. Një nga personazhet tuaja, thotë megjithatë se mbase Franca është keqkuptuar. A është kjo një mësim për ne?

Nuk e di, është një vëzhgim. Ka disa keqkuptime mes kulturave e traditave tona. Disa prej diktatorëve më të tmerrshëm të shekullit 20, kanë studiuar në Paris në universitete si Sorbona. Çfarë kanë mësuar atje? Që të bëhen diktatorë? Kanë studiuar në kryeqytetin e iluminimit, e të revolucionit! S’mund ta shpjegoj atë që bënë.

– Ju keni disa personazhe, që ndonjëherë më duket se arrij t’i identifikoj. Ndonjëhere, elementë të personazheve të ndryshme realë- i gjej te një personazh i juaji letrar. Një prej tyre, është Zoti K, kryeministri që është një personazh artist, basketbollist, disi arrogant, disi në drejtim të vendit, disi i dhënë pas ekzibicionizmit. Kush është ky personazh?

Kush mendoni ju se është? Në fillim duhet të them, që unë kurrë dhe pra kurrë, nuk e vë një njeri që kam takuar si personazh në libër, por ju e dini që nëse takoni shumë njerëz, disa janë të ngjashëm me njëri-tjetrin, përfaqësojnë një tip personaliteti. Nga 4-5 njerëz me cilësi të ngjashme, krijohet një figurë tipike. Personazhi që ju përmendni, është rreth kryeministrit të Shqipërisë, por unë nuk e kam takuar kurrë. E kam ndërtuar personazhin mbi shumë histori që më kanë treguar. Më kanë treguar aq shumë sa në mendjen time, krijoja një imazh për të- si ta kisha takuar personalisht. Por është personazh letrar aty. Unë punoj në mënyra të ndryshme me karaktere të ndryshme, që të tregoj dicka tipike, ekzemplare të jetës politike e letrare.

-Ky personazh, ka 5 artistë në stafin e tij. Mbase këtu duhet të pyesim se cili është roli i artistëve si njerëz që mendojnë e logjikojnë, që të bëjnë qeveri më të mirë e të drejtojnë më mirë. A e kanë humbur artistët rrugët e tyre?

Kjo ndryshon kohë pas kohe. Në vitet ‘70-’80 të shekullit të kaluar, shkrimtarët gjermanë kanë qenë shumë të rëndësishëm për qeveritë social demokrate gjermane. Sot askush nuk do që t’i afrohet politikës. Ka një gjë interesante që reflekton politikën sot, politikat simbolike, vendimet politike simbolike, bëhen më të rëndësishme. Politikat kombëtare nuk kanë shumë mundësi të përçojnë ose kuptojnë idetë, për shkak të globalizmit, etj. Por nëse ka gjëra që nuk mund të bëhen, atëherë punohet me simbolet. Krijohen kënaqësi zëvendësuese. Ndaj artistët marrin rëndësi të re, sepse politika e simboleve ka nevojë për simbole, dhe ekspertë të simboleve janë poetët. Ata shpikin më shumë ide, e ndonjëherë ide të çmendura, që janë të dobishme për politikat e simboleve.

-Një prej këtyre poetëve, është personazhi juaj, Fate Vasa. Që është një figure komike ndonjëherë, që përpiqet të sillet si mendje e ndritur, që është i mirë për të krijuar spektakël që në pamje duken gjë e madhe por në brendi, jo.

Politika bazohet në simbole, kështu që shkon në këtë mënyrë.

-A është Fate Vasa ajo që një kryeministër ka nevojë ta ketë afër për të prodhuar jo politikë, por elementë spektakli?

Është e zakonshme sot, që në shtete të madhe e të vogla, çdo qeveri ka specialistë për fushata, përdorin specialistë marketingu, përdorin njerëz që quhen kreativë. Në këtë situatë dhe për këtë detyrë, unë gjej një poet për romanin tim, kreativitetin e një poeti, që është më empatik se sa një ekspert marketingu. Ndonjëherë funksionon, herë për mirë e herë për keq.

– A e kam keqkuptuar këtë personazh? Ndonjëherë duket mediokër?

Ndonjëherë të gjithë dukemi mediokër në disa pjesë të identitetit tonë. Duhet të jetojmë me të. Dallimi është se sa kreativ je në të jetuarin me të.

– Nëse flasim për simbolet, një prej simboleve më të rëndësishme të librit është Skënderbeu dhe përkrenarja e tij. Ne kemi pasur një mbret që u shpall mbret i shqiptarëve jo vetëm i Shqipërisë. Në romanin tuaj, kemi një kryeministër që do të shpallet kryeministër apo Skënderbeu i të gjithë shqiptarëve jo vetëm i Shqipërisë.

Ky është simbol shumë i fuqishëm. Skënderbeu është si fillim një figurë e rëndësishme historike dhe një simbol politik, sepse dikur ai ishte hero europian. Ai mbrojti Europën kundër osmanëve e myslimanëve. Krishtërimi Europian e admironte atë, ndaj ka statuja të tijat kudo. Më pas nisi procesi historik i ndërtimit të shteteve nacionaliste dhe kjo e bëri Skënderbeun të panevojshëmn, sepse të gjithë donin heronj kombëtarë, jo europianë. Ky hero europian që nuk ju duhej shteteve nacionaliste, u bë hero kombëtar në Shqipëri, sepse bashkoi fiset shqiptare. Ai përfaqëson tërësinë e shqiptarëve kudo që janë dhe ky është simbol i rëndësishëm. Kur disa vende të BE-së nuk janë të interesuara ta bëjnë Shqipërinë pjesë të BE-së, sepse s’duan të importojnë krizat e rajonit ballkanik, në roman, ideja e stafit të kryeministrit shqiptar ishte: nëse nuk na doni anëtar të BE-së, ne kemi një alternativë: Shqipërinë e madhe. Dhe nëse kryeministri shqiptar e kurorëzon veten me përkrenaren e Skënderbeut, ai bëhet një lloj Duke i të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë: Kosovë, Greqi, Maqedoni, Itali e jugut, etj. Nëse të gjithë këta shqiptarë, e lidhin identitetin e tyre e besnikërinë e tyreme kryeministrin e Shqipërisë, atëhere kemi një krizë të re në Ballkan, sepse bien kufijtë dhe çdo gjë është në pyetje, gjë që BE-ja nuk e do. Një simbol i thjeshtë, pra mund të prodhojë lëvizje politike sepse të gjithë sytë shohin nga Shqipëria dhe si mund të menaxhohet kjo, mos është më mirë ta bëjmë anëtare të BE-së, sepse kemi një dinamit në Ballkan?

-Edhe Europa i do simbolet?

Europa i do simbolet, po kërkon gjithë kohës për simbole. Ne kemi plane konkrete, procese interesante, ekonomike dhe politike, gjë që po ndryshon për mirë, jetët e miliona njerëzve në Europë, por është e vështirë t’i shpjegosh ato dhe shumë njerëz e kanë të vështirë të identifikojnë veten, ta gjejnë veten në këtë proces. Pse? Sepse nuk kanë një simbol. Shtetet kanë simbole që janë të rëndësishme për identitetin, të lidhur me trashëgiminë e vendit. Europa ka punë në proces, por jo simbole. Shqipëria ndërkaq ka simbole të fuqishme.

-NJë simbol Europian?

Një simbol europian dhe procesin për tu bërë vend anëtar, që nuk ka ecur si duhet, ose siç njerëzit do të donin.

-Por mbase procesi bëhet më i vështirë nëse konsiderojmë besimin fetar të shqiptarëve, një përqindje të madhe myslimanësh dhe një xhami të madhe që ndërtohet me ndihmën e presidentit turk, siç përmend një nga personazhet tuaja në libër. Sa e rëndësishme është feja, kur ne jemi një vend mysliman, heroi kombëtar i të cilit, është heroi evropian që mbrojti Krishtërimin?

Kjo është një dialektikë shumë interesante, sepse dy prej personazheve më interesantë shqiptarë, Skënderbeu dhe Nënë Tereza, janë të krishterë. Ajo që nuk dija më herët, ishte ateizmi shqiptar dhe ka myslimanë me të cilët jam ulur për birra. Kur shoh një grua me shami, mendoj që duket edhe si Nënë Tereza. Shqipëria ka qenë një periudhë me ateizëm në Kushtetutë dhe është interesante. Mendoj se ka vende europiane që vetë, kanë probleme me fenë dhe shohin Shqipërinë e thonë, nuk duam një vend mysliman. Unë vetë nuk mendoj që Shqipëria përbën problem, për aq kohë sa vende si Turqia e politikanë si Erdogani, nuk ndërhyjnë këtu.

-Ndaj ju në roman i ulni personazhet të pinë birra Tirana e Korça, diku pranë xhamisë së Rrugës së Kavajës?

Po, ndaj.

-Së fundmi ka një ide mbi një shtet bektashi në Tiranë.

Kjo është një ide interesante, është diçka që na flet për simbolet. Italia ka Vatikanin, për të bërë një paralelizëm. Është një argument i fortë edhe nëse nuk do të funksionojë- kjo bazuar te frika e të tjerëve për një vend mysliman- por është mirë për ta bërë pjesë të BE-së sepse do të tregojë rëndësinë e fesë, një shtet brenda një shteti tjetër si Italia. Sa i takon kësaj qasjeje, Polonia ka rëndësi, sepse një politikan polak thoshte që ishte kundër anëtaresimit në BE, të një vendi mysliman ngaqë kjo sipas tij do të lëvizte balancën mes feve dhe kulturave në Europë. Dhe askush nuk e pyeti atë pse miliona katolikët e Polonisë, nuk e prishën këtë balancë por do ta benin këtë 2 milionë shqiptarë? Ka politikanë europianë që janë disi të çmendur dhe për mua, ka rëndësi të tregohet kjo çmenduri por edhe suksesi i proceseve europiane, çfarë po ndryshon në jetët e nejrëzve, me shpresat, shanset e tyre- kjo është ajo që dua të tregoj.

-Në romanin e shkruar para dy vitesh, përmendet reforma në drejtësi, që tanimë ka kaluar në faza të tjera, siç edhe procesi i integrimit. Duket se libri i ka paraprirë të ardhmes sone?

Se di, për mua është kënaqësi nëse po, e nëse jo, romani duhet të tregojë situatën e kohës së cilës i përkas. Romani tregon kohën e vet, ndjesitë dhe ngjarjet. Në mësojmë për epokën në të cilën libri është shkruar. Kur lexoj një libër nga 1900 mësoj diçka për jetën në atë kohë. Dhe kur të lexohet vepra ime, diçka do mësohet për kohën në të cilën ne po jetojmë.

-Jam disi e mahnitur nga përshkrimet tuaja dhe analizat mbi Shqipërinë, historinë, nga monarkia në diktaturë dhe ndikimet e saj sot. Ndërtimet larta që zëvendësojnë vilat, një udhëtim në veri që tregon rrënjët, ju na tregoni një Shqipëri, që është këtu por ne nuk duam ta shohim. Si i kemi mësuar këto, një sy i vëmendshëm?

Teknikat e shkrimit, dhe ndërtimit të një vepre nisën me një shofer e një përkthyes. Kam shkuar lart e poshtë. Kam takuar njerëz, jam ulur e kam folur. I kam dëgjuar. Jam përpjekur të hyj në jetët e tyre dhe të kuptoj mikpritjen. Doja të vija në roman diçka mbi luftën e Kosovës dhe vura një skenë filmi. Për mua, libri është ajo që mësova këtu. Kam dëgjuar kaq shumë histori, sa problemi ishte çfarë të mos shkruaja.

-Në këtë roman ndodhin shumë gjëra. Përkrenarja e Skënderbeut që ndodhet në një muze në Vjenë vidhet, më pas kjo përkrenare vihet në një anije që nis një lundrim të gjatë në det, nga Shqipëria, me shumë politikanë europiane dhe kryeministrin shqiptar në bord. Pyetja ime është, pse kjo anije lihet në det?

Kjo tablo, për mua është metaforë e Bashkimit Europian sot- një anije e madhe, një stimë e madhe në det, që nuk është në gjendje të ankorohet, të gjejë një port. Kjo për mua thotë shumë. Në shumë vende europiane, ne kemi probleme konkrete, ekonomike, politike etj. Por, ne nuk kemi ide të përbashkëta- ide se si ne si europianë t’i zgjidhim të gjithë së bashku problemet tona ose problemin tonë. Secili, po përpiqet t’i zgjidhë problemet në shtetin e tij, por nuk po gjejmë zgjidhjen e përbashkët, as portin tonë.

-Një zgjidhje për të gjithë? Kjo anije, më kujtoi pak një anije refugjatësh që të nisur për në Itali, u sollën në Shqipëri dhe më pas gjykata italiane vendosi që duheshin kthyer në Itali.

Kjo çështja e refugjatëve është problem përshembull. Në vend që të gjejmë zgjidhje për të gjithë Bashkimin Europian, secili shtet do të gjejë një zgjidhje për vendin e vet e votuesit e vet, dhe janë gati të thyejnë edhe ligje për këtë. Marrëveshja shqiptaro-italiane për refugjatët thyen ligjet europiane. Ky është për mua një shembull pse në këtë moment, elitat politike që kemi, nuk po funksionojnë dhe kemi më shumë simbole se sa na duhen.

– A jeni ju Menasse një kritik progresiv i Europës, që kritikoni për ta përmirësuar atë?

Po, sepse duhet të kuptojmë që duhet të mbrojmë idenë e Europës. Ose duhet ta rindërtojmë idenë sepse vetë ideja është madhështore, dhe duhet të kritikojmë situatën dhe kontraddiktat e tanishme në BE. Unë nuk mund t’i duroj më ata politikanë, që ose e duan marrëzisht ose e kritikojë keqazi Europën. Diku në mes, duhet të gjesh sensin e rindërtimit të idesë dhe mbrojtjen e saj, sepse një Europë në paqe është më e rëndësishme, shumë më e rëndësishme se konkurenca mes shteteve dhe këtë e dimë mirë nga paslufta, e kemi provuar njëherë dhe historia duhet të na mësojë diçka. Ne duhet të kritikojmë mënyrën se si elitat politike aktuale, po e trajtojnë atë.

-Faleminderit zoti Menasse, duke perifrazuar nje personazh tuajin, ju duket se nuk flisni gjuhën time, por flisni me fjalët e mia.

Faleminderit shumë.


Arena e Lajmit

Refugjatët, shteti bektashi dhe Europa/ Shkrimtari austriak Menasse, skaner Shqipërisë: Kryeministri e Skënderbeu, pjesë e romanit tim

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook