Kryeministri Edi Rama ka filluar takimin e tij të dytë me emigrantët shqiptarë në Greqi, këtë herë në qytetin e Selanikut, pas takimit të tij të parë në Athinë disa muaj më parë.
Rama komentoi se një grup individësh, të cilët ai i quajti “fantazma të gjalla të së shkuarës,” ishin angazhuar në protestë kundër ardhjes së tij, duke përdorur fletushka dhe parulla që lidhen me termin e “Vorio Epirit”. Ai shprehu keqardhje për këto veprime, duke theksuar se ato nuk ndihmojnë në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Vorio Epiri është një term i vdekur,” deklaroi Rama. “Këto nuk janë arsye që të ushqejmë ndjenja jo miqësore ndaj Greqisë. Greqia është një partner i pazëvendësueshëm që, bashkë me Italinë dhe Turqinë, përbën një trekëndësh strategjik të politikës sonë të jashtme.”
Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e integrimit të shqiptarëve në Greqi, duke i përshëndetur ata si qytetarë të barabartë të Evropës. Ai u shpreh se peripecitë e emigrantëve për integrim janë një histori krenarie, e cila pasqyron heroizmin e prindërve që erdhën në Greqi për të ndërtuar një jetë të re.
“Diku këtu rreth e rrotull një grup fantazmash të gjalla të së shkuarës janë angazhuar në një protestë kundër ardhjes time këtu me fletushka e parulla qesharake që frymëzuara nga i ashtuquajturi Vorio Epir, ata kanë bërë këto ditë në adresën time edhe kërcënime që mua më shkaktojnë vetëm keqardhje siç me shkakton keqardhje edhe çdo spazëm e kujto në Shqipëri që ushqen ndjenja jo miqësore ndaj Greqisë mike. Vorio Epiri është një term i vdekur me kohë e me vakt. Këto nuk janë arsye që të ushqejmë ndjenja jo miqësore ndaj Greqisë. Greqia është një partner i pazëvendësueshëm që bashkë me Italinë dhe Turqinë përbën një trekëndësh strategjik të politikës sonë të jashtme.
Për shqiptarët e Greqisë, ajo është shtëpia juaj ku jeni qytetarë të barabartë të Europës njësoj si grekët, pa asnjë dallim. Ku peripecitë e jashtëzakonshme tuaja për integrimin janë kujtime e histori, të trishta sa të duash, por edhe një histori krenarie e mishëruar në historinë heroike të ambicies të prindërve që erdhën këtu me fëmijët në krahë dhe luftuan për vendin tuaj në këtë tokë të Evropës”, tha Rama.