Mbrojtja e të dhënave personale, Komisioneri raport për veprimtarinë e sistemit të Prokurorisë/ Dervishi: Bashkëpunim proaktiv

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në zbatim të marrëveshjes së Republikës së Shqipërisë me Eurojust (ligji nr. 113/2018) ka hartuar një Raport monitorimi për veprimtarinë e sistemit të Prokurorisë mbi mbrojtjen e të dhënave personale në kuadër të shkëmbimit të informacionit për qëllime të hetimit dhe ndjekjes penale. Gjetjet e këtij dokumenti u prezantuan në një takim me pjesëmarrjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, Drejtuesit të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani dhe drejtuesve të 13 Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Komisioneri Dervishi theksoi si mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin dhe kontributin proaktiv të strukturave qendrore dhe vendore të sistemit të Prokurorisë, në funksion të forcimit të standardeve dhe mekanizmave që garantojnë mbrojtjen e të dhënave personale, si një e drejtë themelore e individit.

“Rezultati duket mëse pozitiv, vlerësim maksimal pati nga ana e kolegëve të mbrojtjes së të dhënave të Eurojust dhe veçanërisht, prezantimi si modeli për t’u aplikuar edhe nga vendet e tjera të rajonit në Akademinë e Mbrojtjes së të Dhënave, organizuar në Bruksel në shtator të këtij viti nga Komisioni Evropian. Vlerësoj se përveç suksesit të këtij Raporti, çfarë tjetër duhet të nënvizohet në këtë proces është bashkëpunimi dhe komunikimi i shkëlqyer ndërmjet Institucioneve tona të pavarura në misionin tepër të rëndësishëm që ato kanë. Ky rol i caktuar në këtë Marrëveshje për institucionin tonë lidhet me një të drejtë të cilësuar shumë të rëndësishme në BE. Kjo, ashtu si dhe vlerësimi nga ana e partnerëve ndërkombëtarë, na bën patjetër të ndihemi mirë nga njëra anë, por nga ana tjetër, na ngarkon me përgjegjësi për të vijuar me po të njëjtin angazhim dhe cilësi këtë ushtrim periodik, të cilin duhet ta konsiderojmë si një mundësi për të përmirësuar proceset e punës dhe praktikat e mira të bashkëpunimit ndërinstitucional”, tha Dervishi.

Whatsapp Image 2024 11 04 At 17.06.22
Whatsapp Image 2024 11 04 At 17.06.22

Prokurori i Përgjithshëm, Çela nënvizoi në fjalën e tij se “procesi i monitorimit nga Komisioneri ka vlerë jo vetëm në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes mes Republikes se Shqipërisë dhe Eurojust, por krijon mundesinë e vendosjes së standardeve të larta për trajtimin e të dhënave personale nga ana e prokurorisë në të gjitha drejtimet, shumë e rëndësishme kjo edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe standardeve që duhet të përmbushin institucionet shqiptare.” Gjithashtu, ai theksoi domosdoshmërinë e një komunikimi të vazhdueshëm institucional me Komisionerin edhe për sa i përket transparencës me publikun.

Drejtuesi i SPAK, Dumani në fjalën e tij theksoi se “qasja jonë i ka rrënjët te transparenca dhe privatësia, për të garantuar që metodat që ne përdorim përmbushin standardet evropiane dhe mbrojnë të drejtat e qytetarëve. Ne synojmë jo vetëm të jemi efektivë në luftën kundër krimit të organizuar por mbi të gjithë të ruajmë vlerat që janë në themel të shoqërive tona demokratike.”

Zyra e Komisionerit për hartimin e këtij Raporti të parë ka zhvilluar vizita monitoruese në Prokurorinë e Përgjithshme, në SPAK, si dhe pranë Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranës, Elbasanit dhe Lezhës. Paralelisht me këtë veprimtari, Zyra e Komisionerit ka asistuar me ekspertizën e saj këto institucione në përmirësimin e akteve rregullatore, praktikave dhe sidomos, në funksionalizimin e masave të duhura tekniko-organizative përsa i përket sigurisë së të dhënave personale. Arritja e standardeve më bashkëkohore në këtë fushë është e rëndësishme edhe për shkak të fazës së re të zhvillimit ku ndodhet vendi ynë, procesit të anëtarësimit në BE.


Arena e Lajmit

Mbrojtja e të dhënave personale, Komisioneri raport për veprimtarinë e sistemit të Prokurorisë/ Dervishi: Bashkëpunim proaktiv

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook