Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja ka prezantuar sot drejtorin e ri të Entit Kombëtar të Banesave. Gonxhe shkruan se Besmir Hysa nga sot merr stafetën e drejtimit të EKB- Entit Kombëtar të Banesave, pas daljes në pension të Stefan Çipës.
Hysa ishte tre muaj, prej gushtit 2024, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar (i komanduar), teksa ka mbajtur disa detyra në institucionet të tjera.
POSTIMI I MINISTRIT BLEDI GONXHJA
Z. Besmir Hysa nga sot merr stafetën e drejtimit të EKB – Entit Kombëtar të Banesave, pas daljes në pension të Z. Stefan Çipa, të cilin e falenderojmë për kontributin e dhënë ndër vite. 🤝
Strehimi social, fushë nën administrimin e Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, është sektor prioritar për qeverinë!
Besmiri ka mbaruar studimet e larta për Arkitekturë në Qipron e Veriut, Universiteti Amerikan. Gjatë këtyre viteve ka kryer nje sërë trajnimesh brënda dhe jashtë vëndit në fushën e menaxhimit, planifikimit e lidershipit.
Prej muajit Gusht 2024, ushtroi detyrën e Drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar (i komanduar), duke luajtur një rol të rëndësishëm në implementimin e fazës së parë të restaurimit të Muzeut Historik Kombetar.
Përpara kësaj detyre ka ushtruar detyrën si Këshilltar i Ministrit të Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit – MEKI, i cili ka ndjekur një sërë procesesh të rëndësishmë.
Nga tetori i vitit 2018 ka mbajtur postin e Administratorit të Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë sh.a, Institucion në varësi të ish-Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Gjatë drejtimit të kësaj shoqërie, u arrit që performanca e saj financiare nga problematike të ishte ndër më të mirat nga shoqëritë në varësi të shtetit shqiptar. Gjithashtu gjatë këtyre viteve është përmirësuar teknologjia si dhe hapësira vepruese e kësaj shoqërie, ku mund të theksohet dhe kalimi i shtypjes dhe realizimit të pullave fiskale tek Shtypshkronja e Letrave me Vlerë sh.a.
Nga gushti i vitit 2016 iu bashkua Bashkisë Tiranë si kordinator për zbatimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, ku vlen të përmëndet ndjekja dhe zbatimi me sukses i bulevardit të ri të Tiranës, unazës së vogël si dhe një sërë projektesh të tjera.
Nga shkurti i vitit 2014 iu bashkua Agjensisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, si Drejtues i Sektorit të Terrenit, dhe i Sektorit të Hartografisë ku për herë të parë u arrit hapja e zyrës së Legalizimeve në qytetin e Kamzës si dhe realizimi në masë i Legalizimeve në këtë bashki.
Më parë, ai ka ushtruar profesionin e arkitektit në kompani të ndryshme si brënda ashtu dhe jashtë vëndit.