Mosbindja civile/ Bylykbashi paralajmëron “përplasje”: Kombinim i aksionit parlamentar dhe aksionit politik në rrugë. Do sjellim një model ndryshe

TIRANË

Nënkryetari i PD-së Oerd Bylykbashi deklaron se mosbindja civile do të vijojë. Ai tha në emisionin “Kjo Javë” në News24 se ka qenë “vendimi politik i grupit për të reaguar fort dhe në kuadër të asaj që themi mosbindje civile, por mosbindja civile në vetvete nuk do të thotë që ikim nga parlamenti, por që seancat nuk mund të kenë normalitet me diskutime sterile, por duke thënë hallet fort”. Bylykbashi foli dhe për qëndrimin e tij, disi jo në front të parë në përplasjen me maxhorancën.

“Shtyrja që i bën Edi Rama situatës është një mekanizëm që e ka bërë shumë herë. Vendimi ynë ka qenë për të reaguar fort për këtë. Sigurisht dhe grupi parlamentar është i madh dhe secili prej nesh bën dhe zgjedhjet. Ajo që pres unë, jam gati ta them fort sepse për këtë jemi në parlament.
Unë besoj që në qoftë se ne si grup parlamentar bëjmë një veprim që tërheq fort vëmendjen te problematika, te mosfunksionaliteti i parlamentit e ka arritur qëllimin. Por brenda kësaj ka hapësirën e vet për të bërë gjithë atë që është e nevojshme, që në fund të kemi raportin me parlamentin, me publikun, me faktorin ndërkombëtar. Të gjitha në funksion të një gjëje, që çështja jonë të jetë e qartë për të gjithë dhe më pas të prodhojë një efekt në raport me zgjedhjet”, tha ai.

Sipas Bylykbashit, në qoftë se dikush ecën me idenë që Edi Rama kërkon zgjedhje normale është thjesht në pistën e gabuar.
“Arsyeja pse ka nisur mosbindja civile, e cila do të vazhdojë. Do të ketë një kombinim të aksionit parlamentar dhe aksionit politik edhe në rrugë.
Në këtë trajektore që kemi përpara na duhet të kombinojmë të gjitha spektrin e veprimeve që ka opozita. Aksioni opozitar do të vazhdojë me mosbindjen civile dhe nga ana tjetër përplasja jonë në parlament me argumente. Njerëzit duan të dëgjojnë në parlament për hallet e tyre. Janë pare që u merren nga xhepat shqiptarëve”, tha deputeti i PD.

Bylykbashi theksoi se janë 140 mln euro që iu merren nga xhepat e shqiptarëve dhe më të varfërve kur të blejë minimumin për të ngrënë.

“Nga këto do të marrë 140 mln euro për portin e Durrësit. Ka dështuar tenderi, paratë do t’ia marrë. Plani i Ramës ishte që të bënte 12 mijë apartament arabi dhe në mënyrë që të bëjnë para t’i ndanin me njeri-tjetrin.  Njësoj si paratë për inceneratorin dhe pse është nën hetim.
Po mirë si t’ia bëjmë këtyre pensionistëve. Ai del dhe thotë që nuk paguajnë detyrimet kompanitë. Po mirë si ka mundësinë që ke buxhetin më të madh, kujt ia merr këto para se nuk i ke të tuat?! Bizneseve po ua merr këto para, por nuk ua jep pensionistëve, nuk rrit rrogat dhe indeksimin e ke nën nivelin e inflacionit dhe këto para i jep te kontratat. Nuk i gënjejnë dot më shqiptarët. Ky debat duhet të jetë i fortë i ashpër tani për buxhetin dhe kombinohet me veprimet e tjera. Për 6 muaj janë zgjedhjet”, tha ai.

Por a e sjell opozita zërin e qytetarëve në parlament?
“Ka filluar ky debat. Vendimi i grupit parlamentar që të jemi për të debatuar fort për buxhetin është qartazi tregues se si ne mendojmë që duhet ngritur kritika e ashpër për mënyrën se si po vidhen paratë e shqiptarëve.
Ne patëm një mundësi të humbur vjet që nuk diskutuam dot për çështjen e buxhetit. Nuk mund pse të biem në një kurth që t’i lejojmë ta kalojë për 8 minuta buxhetin.
Ky qenka buxheti më i madh, por rrogat nuk rriten. Ka pensione 80 mijë lekë të vjetra, po si jetojnë? Kur ne themi minimumi jetik të jetë 200 euro në muaj del ministri thotë që prit e keni të pastudiuar. Po plas kokën atje dhe studioje. Pse ne duhet të kemi debatin për shtresat më në nevojë e mos të diskutojmë kush janë mundësitë që iu jepen shqiptarëve më shumë se sa aq. Paratë do shpërndahen në kontratat korruptive koncesionare. Kur të vijmë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme, teza ime është kjo, ne nuk duhet thjesht të ofrojmë alternativën, ne duhet të ofrojmë modelin dhe projektin e madh ndryshe se si qeveriset ndryshe ky vend”, u shpreh nënkryetari i PD.

Sipas tij, efektet e mosbindjes civile kanë nisur.
“T’ia lëmë këtë pjesë vendimmarrjeve tona që kanë të bëjnë më mënyrën më efikase që vendoset kur do të shpaloset. Është vendimmarrja jonë, nuk do i themi qeverisë hajde se po bëjmë film këtu. Duhet të jetë efektive. Sigurisht që kanë bërë efekt dhe jemi vetëm te fillimi. Sa më shumë do ketë, aq më shumë do tërheqë vëmendjen e publikut. Do ketë njerëz që në momenti ne parë do thonë më bllokuan rrugën, por në vende të tjera demokratike normale, nuk është ky debati, por cilat janë rrënjët e problemit.
Nuk ka pikën e diskutimit kur vendosin sindikatat, forcat që lëvizin shoqërinë që bllokojnë gjithçka. Është instrument i kodifikuar në demokraci. Njerëzit një herë dy herë do pyesin pse po ndodh kjo. Nëse do ishte kjo gjë, a do protestonte opozita”, u shpreh nënkryetari i PD-së.

Ai theksoi më tej se ka një forcë në rritje, një masë në rritje, si numër por edhe në intensitet të pakënaqësisë në raport me qeverinë.
“Duhet patjetër që opozita të ndërtojë nëpërmjet mesazhesh, veprimesh, figurash që vë në fushë që t’i bëjë thirrje si militantëve, edhe simpatizantëve dhe atyre që kanë prirje për momentin ndaj opozitës dhe opinionit gri. Ne duhet ta bëjmë këtë gjë, me të gjithë gamën e figurave, mesazheve. Ky 6-mujor nuk ka skonto për askënd. Për maxhorancën s’ka e s’ka, zero, për ne nuk ka skonto sepse për 6 muajt ka zgjedhje.
Nuk mundet kurrë opozita siç ka një vendim të Kuvendit Kombëtar, nuk ka më bojkote, ne hyjmë në zgjedhje për të fituar zgjedhjet.
Rama do përpiqet të largojë sa më shumë në këtë fazë dhe do bëjë çmos që një numër i madh i emigrantëve të mos votojnë, ose duke mos i pajisur me dokumente identifikimi të vlefshme ose duke iu thënë si në Himarë që i keni dokumentet e pavlefshme, nuk votoni dot. Ne do ta bëjmë kontestimin përpara, përplasja do jetë tani, do përplasemi në të gjitha aspektet në të gjitha format, që dita e zgjedhjeve të jetë një fushë e barabartë rregullash. Qeveria teknike këtë ka qëllim, jo që të bëhet X apo Y kryeministër.
Ne kemi për detyrë të arrijmë në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qëllimi i qeverisë teknike ky është të jetë neutrale në zgjedhje, jo një qeveri që i dhunon zgjedhjet. Deri atje kemi rrugë për të bërë”, u shpreh deputeti i PD-së.


Arena e Lajmit

Mosbindja civile/ Bylykbashi paralajmëron “përplasje”: Kombinim i aksionit parlamentar dhe aksionit politik në rrugë. Do sjellim një model ndryshe

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook