Kandidatja e PD në qarkun e Vlorës, Ina Zhupa, ka denoncuar PS se në kundërshtim me ligjin zgjedhor, po shtron asfalt elektoral.
Në një reagim në facebook, Zhupa shkruan se megjithëse kodi zgjedhor dhe aktet nënligjore të nxjerra nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, ndalojnë përdorimin dhe vënien në mbështetje të partive politike dhe kandidatëve të tyre të aseteve publike, PS nuk preket nga ligji.
Promovimi i projekteve dhe investimeve në infrastrukturë përbën shprehimisht veprimtari të ndaluar dhe funksionarët publikë lokal apo qëndror kanë për detyrë që të marrin masa për të shmangur veprimtari të tilla.
Madje, Kodi Penal sanksionon se përdorimi i burimeve financiare dhe njerëzore, me qëllim favorizimin e një partie politike apo kandidati në zgjedhje, përbën vepër penale të dënueshme deri në tre vjet.
Por, siç duket ligji dhe organet ligjzbatuese nuk veprojnë ndaj Partisë Socialiste dhe kandidatëve të saj. Shfaqja e drejtuesit politik të Partisë Socialiste, Bledar Çuçi, krah kryetarit të Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi për inspektimin e ” asfaltit elektoral” që po hidhet në lagjet nr. 1 dhe nr. 2, të Sarandës është dëshmi e qartë e krimit elektoral”, shkruan Zhupa.
Sipas saj, karshillëku i hapur që përfaqësuesit e Partisë Socialiste i bëjnë KQZ-së dhe SPAK-ut, të cilët duken të pafuqishëm për t’i vënë fre paligjshmërisë, duhet t’i bëjë këto organeve të veprojnë menjëherë dhe me forcë ndaj kriminelëve recidivistë elektoralë.
()