“Sipas UNICEF 47% e fëmijëve vuajnë nga kequshqyerja, kjo nuk e shqetëson Ramën”, Këlliçi: Zgjidhja është te programi i PD

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar me tone të forta ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama në Konventën Rajonale të Kujdesit ndaj Fëmijëve, duke e akuzuar atë për neglizhencë ndaj varfërisë dhe problemeve të thella që prekin fëmijët shqiptarë.

Sipas Këlliçit, Rama nuk ofroi asnjë zgjidhje konkrete për situatën e fëmijëve në Shqipëri, por në vend të kësaj shfaqi pritshmëri të mbështetjes financiare nga Bashkimi Europian. Ai solli në vëmendje raportin e UNICEF, sipas të cilit 47% e fëmijëve shqiptarë vuajnë nga kequshqyerja – një statistikë shqetësuese që, sipas tij, nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga qeveria.

Këlliçi përmendi me emra raste tragjike të fëmijëve si Kristi Maze, Ardit Gjoklaj dhe Martin Cani, duke theksuar se nëse qeveria do kishte prioritet shëndetësinë dhe arsimin e fëmijëve po aq sa shpenzon për luksin dhe udhëtimet, këto jetë mund të ishin shpëtuar.

Në këtë kuadër, ai paraqiti programin e Partisë Demokratike si alternativën e vetme për ndryshim real, që sipas tij vendos fëmijët në qendër të qeverisjes. Sipas PD, do të ofrohet një pagesë mujore prej 60 eurosh për fëmijën e parë deri në moshën 18 vjeç, 70 euro për të dytin, dhe mbështetje shtetërore për fëmijën e tretë deri në moshën 23 vjeç.

Programi përfshin gjithashtu futjen e ushqimit në shkolla, rritjen e cilësisë arsimore të mbështetur në meritokraci dhe dyfishimin e buxhetit për arsimin.

“Shqipëria Madhështore fillon nga fëmijët! Si janë fëmijët sot, do të jetë Shqipëria nesër,” përmbylli deklaratën e tij Belind Këlliçi.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë,

Edi Rama pret që problemin e varfërisë, arsimit dhe shëndetësisë të fëmijëve shqiptarë t’ia zgjidhë Bashkimi Evropian.

Këtë kishte në fokus fjala e tij në Konventën rajonale të Kujdesit ndaj Fëmijëve.

Rama la të kuptohej qartë se në lidhje me këtë çështje nuk ka asnjë zgjidhje, por pret financimet e Bashkimit Europian, në një kohë që sipas Raporteve të UNICEF, të realizuara edhe nga Linda Rama, raporti i bërë publik vitin e kaluar, thuhet se 47% e fëmijëve shqiptarë vuajnë nga kequshqyerja. Por kjo nuk e shqetëson shumë Edi Ramën.

Në rast se Rama do shqetësohej për shëndetësinë, varfërinë apo arsimin aq sa shqetësohet për Kopshtin e Edenit në Kryeministri, për shishen e verës 33 mijë euro, për udhëtimet me charter privat, për ekspozitat e tij private në metropolet e botës, vogëlushin Kristi Maze që ndërroi jetë në pritje të një transplanti, 17 vjeçarin Ardit Gjoklaj që varfëria e çoi të punonte në Landfillin e Sharrës, apo 14 vjeçarin Martin Canin që u vra në derë të shkollës, do ishin mes të gjallëve dhe me të afërmit e tyre.

Zgjidhja për reduktimin e varfërisë, arsimit dhe shëndetësisë tek fëmijët mund të gjendet vetëm tek programi qeverisës i Partisë Demokratike.

Për fëmijën e parë deri në moshën 18 vjeç do ketë një pagë prej 60 eurosh në muaj, për fëmijën e dytë 70 euro në muaj dhe fëmija i tretë do të merret përsipër nga shteti deri në moshën 23 vjeçare.

Futja e ushqimit në shkolla, rritja e cilësisë arsimore duke e mbështetur tek merita dhe jo militantizmi, apo dyfishimi i buxhetit është ajo çka ofron Partia Demokratike në qeverisjen e saj.

Ky në fakt duhet të jetë detyrim i çdo qeverie të përgjegjshme.

Shqipëria Madhështore fillon nga fëmijët!

Si janë fëmijët sot do të jetë Shqipëria nesër!


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook