Këshilli i Ministrave ka miratuar një ndryshim të rëndësishëm në vendimin nr. 858, datë 29.12.2021, për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe dokumentacionit për hyrjen dhe qëndrimin e të huajve në Shqipëri. Sipas këtij ndryshimi, shtetasit e Arabisë Saudite, Katarit dhe Omanit do të mund të udhëtojnë në Shqipëri pa pasur nevojë për vizë për motive turistike, duke përdorur vetëm pasaportën, për periudhën 15 prill – 31 dhjetor 2025.
Ky vendim është pjesë e një përpjekjeje për të përmirësuar lidhjet diplomatike dhe turistike me këto shtete dhe do të përfitojnë edhe shtetasit e vendeve të tjera si Tajlanda dhe Indonezia. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ajo e Brendshme janë ngarkuar me zbatimin e këtij vendimi, që do të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”. Ky ndryshim pritet të sjellë rritje të vizitave dhe turizmit nga këto vende dhe është një hap i rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë.
VENDIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE:
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.858, DATË 29.12.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE E TË DOKUMENTACIONIT PËR HYRJEN, QËNDRIMIN DHE TRAJTIMIN E TË HUAJVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 6 e 29, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 3, e aneksit nr.3, që i bashkëlidhet vendimit nr.858, datë 29.12.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Lista e shteteve, shtetasit e të cilave hyjnë pa vizë për motive turistike në Republikën e Shqipërisë dhe me dokumentin “pasaportë” për një periudhë të kufizuar, nga data 15 prill deri më 31 dhjetor 2025.”.
Nr. Shteti
1. Arabi Saudite
2. Katar
3. Oman
4. Tajlandë
5. Indonezi
2. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
(Arena e Lajmit)