Zbardhja e vendimit të Apelit të GJKKO që la në burg kryebashkiakun e pezulluar të Tiranës, Erion Veliaj, ka hedhur dritë mbi argumentet ligjore të gjykatës për konfirmimin e masës së sigurisë.
Gazetari Armand Bajrami, në një komunikim të drejtpërdrejtë në “Open” në News24, bëri të ditur se gjykata ka evidentuar tre kritere të qarta ligjore që justifikojnë arrestin me burg për Veliajn.
Sipas vendimit, gjyqtari vlerësoi se Veliaj paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore, mbetet ende në pozicion zyrtar me ndikim në proces, dhe ekziston rreziku i arratisjes nga vendi.
Bajrami theksoi se sipas gjykatës, Veliaj kishte mundësi reale për të ndikuar në provat dhe dëshmitarët, duke qenë ende në krye të Bashkisë së Tiranës edhe pas arrestimit. Më tej, Apeli i GJKKO ka thënë se ai ka dhënë instruksione specifike për mënyrën si duhet të deklaronin personat e thirrur për çështjen e tij.
Gjithashtu, historia e udhëtimeve të shpeshta të Veliajt jashtë vendit është konsideruar si një indikator për rrezik të mundshëm të largimit, duke plotësuar kështu kriterin e tretë ligjor për masën e paraburgimit.