Fitorja me “poker” golash në aktin e parë, e bënte në letër një formalitet ndeshjen e kthimit për Barcelonën, por B.Dortmund jo vetëm që nuk zbriti në fushë e dorëzuar, por vendosi në siklet ekipin e Flick, ku një “tripletë” e Guirassy la kualifikimin të hapur deri në fund. Pavarësisht emocioneve dhe drithërimeve në “Iduna Park”, në fund Barcelona siguroi një biletë për në fazën gjysmëfinale të Champions League pas rezultatit të përgjithshëm 5-3.
Pas vetëm 11 minutash lojë, Dortmund fitoi një 11-metërsh. Nga pika e bardhë e penalltisë, Guirassy me një “panenka” fantastike kaloi verdhezinjtë në avantazh. Ashtu si në pjesën e parë, Dortmund e nisi “zjarr” edhe fraksionin e dytë, ku sërish Guirassy, këtë herë i shërbyer në shtyllën e dytë, e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë duke dyfishuar shifrat.
Barcelona u zgjua, por ishin dhe me fat teksa një devijim i Benesbaini-t përfundoi në rrjetë duke ngushtuar shifrat në 2-1 në minutën e 54-ët. Për ta bërë edhe më të bukur këtë sfidë mendoi sërish Gurassy, me sulmuesin nga Guinea që me një goditje të fortë brenda në zonë dërgoi shifrat në 3-1. Dortmund provoi në çdo formë të rifutej në lojë, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me verdhezinjtë që largohen me kokën lart, ndërsa Barça fluturon në gjysmëfinale, aty ku do të përballet me fituesin e çiftit Inter-Bayern.
Në Spanjë, të përditshmet festojnë, por jo plotësisht, pasi ndryshe nga se pritej, ky ishte një kualifikim i vuajtur.
()