Petro Koçi kundër sistemit zgjedhor aktual: Favorizon kandidatët me para! Çfarë mendon për praninë e LaCivita tek PD

Deputeti Petro Koçi, i ftuar në studion e News 24 foli për situatën politike në vend.

Duke folur për sistemin aktual zgjedhor, ai tha se ky sistem favorizon kandidatët që kanë më tepër para.

“Kam qenë kundër këtij sistemi, sepse e kthen marrëdhënien me qytetarët në raport kapitalist. Është garë thuajse e paskrupullt. Duhet gjendur një mënyrë tjetër, që sistemi mos jetë “kaq i egër”. Zgjidhen persona që kanë më tepër trafik influence. Sistemi zgjedhor nuk ofron barazim shansesh. Ky sistem zgjedhor duhet rrëzuar sa më parë. Ky sistem favorizon kandidatët me para. Sa më i pasur të jetë kandidati, më tepër mundësi ka për banera, bluza, stilolapsa, për të organizuar shtabe. Unë që nuk e kam këtë fuqi financiare, më mirë që nuk jam në këtë garë. Kandidatët e PS nuk janë të Ramës e as të Veliajt, janë të Partisë Socialiste, këto janë diversione”, tha Koçi.

Koçi komentoi edhe burgosjen e Veliajn, duke thënë se kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sipas tij, më shumë i rëndon moralisht historia me 5D sesa dosja ku është përfshirë dhe bashkëshortja e tij.

“Për mua, Veliajn më shumë e rëndon historia me 5D sesa kjo dosja me bashkëshorten. Unë nuk merrem dot me punën e gjykatësve, por nga një konsideratë që rrjedh nga përvoja ime politike, kjo mund ta ngarkojë më shumë Erion Veliajn. Nuk ka ndarje në PS. Të gjithë janë të nevojshëm, njeriu i domosdoshëm në Partinë Socialiste është Edi Rama. Unë mund të konkurroja në listën e hapur, por duhet të kesh klan që të të mbështesë, unë s’kam klan, s’kam miqësi të ngushtë me X apo Y. Kam shprehur gjithmonë mendimet e mia në PS. Sakrifica më e madhe që kam pasur ka qenë divorci 1-vjeçar me partinë dhe jo kur njerëzit e Berishën më morën peng e më rruan kokën në 1997. Kam bërë detyrën në lartësinë më të mirë. PS do i fitojë zgjedhjet. Trimëria sot është që të jesh i ndershëm. Se di çfarë do të ndodhë me mua, ndoshta mund të jem në administratë. I jam mirënjohës PS-së, i jam përkushtuar Partisë Socialiste dhe normalisht nuk jam marrë me asgjë tjetër”, u shpreh Koçi.

Më tej, Koçi deklaroi se PS ka ditur të përshtatet me kohën në çdo rast.

“PS ka ditur të përshtatet me kohën dhe liderët gjithashtu. Edi Rama ka shkëlqyer me rezultatet që ka arritur, është e sigurt që do të fitohet mandati i katërt. 12 vite të konsumojnë, por këtu ka ndodhur çudia, që në 12 vite më shumë është konsumuar opozita sesa qeveria. Kjo ka lidhje me relativizmin. PS sot është më e mira sot për sot në Shqipëri. Vjedhja e votës është një alibi. Partia Socialiste punon në terren. Krimi ka tendencë që të bashkëngjitet me fituesin. “Të fortët” kanë influencë në komunitet dhe me këtë influencë mund të ndikojnë në zgjedhjen e një kandidati”, tha ai.

Në fund, Petro Koçi komentoi edhe praninë e LaCivita-së në PD. Ai tha se LaCivita është kukull e parave të Berishës dhe se ka ardhur këtu privatisht.

“Realiteti në PD nuk ndryshon dot nga një këshilltar amerikan. Një strategji fitoreje shpallet shumë më herët. Nuk ka asnjë indikacion që është punuar shumë më herët në Partinë Demokratike. LaCivita është kukull e parave të Berishës. Ai, për ta justifikuar, është detyruar që në dy takime të dalë publikisht dhe në takime lexon çfarë i thotë Sali Berisha. Ti nuk gjen ndonjë tezë që të të çudisë, janë teza që Berisha i ka konsumuar për 12 vite. Ai tha se vij këtu privatisht. PD është munduar që ta interpretojë prezencën e tij si asistencë të Partisë Republikane Amerikane, por kjo bie, kur në raportin e Departamentin Amerikan të Shtetit, flitet për luftimin e korrupsionit në Shqipëri. Aty përmendet dhe Berisha. Pyetja është që ku i ka gjetur Berisha paratë për La Civita, janë paratë e Gërdecit, apo para nga burim tjetër dhe nuk dimë sesa është kosto e këshillimit që merr Sali Berisha. Duket se Berishës dhe LaCivita-s i kanë ngritur një kurth, ndoshta një njeri pranë tij. Kjo, sepse tashmë Berisha nuk ka alibi për të dhënë pasi të humbasë zgjedhjet”, përmbylli Koçi.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook