Dyshime se vartësit e Ballukut marrin edhe tenderat e Hekurudhës/ A fshihet Spartak Kovaçi pas kompanisë “ERIL B&B”? Çfarë zbuloi investigimi i Vetting

Emisioni investigativ Vetting, News24

Në shoqërinë publike Hekurudha Sh.a, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka rolin e monitoruesit dhe hartimit të politikave dhe ka përfaqësues te Bordi i Këshillit Mbikqyrës. Praktikisht Drejtoresha e Përgjithshme te Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë Erjola Muka është kryetare e Këshillit Mbikqyrës ndërkohë Irena Malolli, një tjetër drejtoreshë e Përgjithshme te Ministria e Infrastrukturës është anëtare e Këshillit Mbikqyrës të shoqërisë aksionere publike.

Por çfarë roli ka Këshilli Mbikqyrës te kjo kompani? Sa ndikim kanë te tenderat dhe projektet që po zhysin në borxhe shqiptarët te të huajt?

Sipas nenit 11, të statutit të Hekurudhës Shqiptare sh.a. Këshilli Mbikqyrës ka të drejtë të kontrollojë e të mbikëqyrë zbatimin e politikave tregtare të shoqërisë, përcaktimin dhe ndryshimin e programit afatshkurtër, afatmesëm, dhe afatgjatë të shoqërisë. Pra, ka kompetenca të rëndësishme të cilat lidhen drejtpërdrejt me administratorin e shoqërisë.

Më 26 shkurt 2018, një kompani e re “ERIL B&B” do të themelohej nga ortakët Ilir Shabani dhe Ergert Deliallisi, e cila kishte si objekt të veprimtarisë aktivitete në fushën e ndërtimit, tregtisë, shërbime dhe projektime. Disa muaj më pas, në shtator 2018 kjo kompani do të kishte si administrator Tedi Spahin dhe njëkohësisht do të zgjeronte aktivitetin e saj duke përfshirë ndërtime më komplekse si hekurudhat dhe import tregti te materialeve hidraulike, si dhe import-eksport te materialeve te ndryshme.

Kjo kompani do të fitonte disa tendera nga Hekurudha, të cilët kanë dalë me probleme sipas dokumenteve të siguruara nga “Vetting”, duke rezultuar me shkelje në zbatimin e kontratës.

Vetë gara për të fituar tenderat ka zbuluar se grupi i Komisionit të Hartimit të Dokumenteve për tenderat e organizuar nga Hekurudha ka bërë shkelje, që kanë dëmtuar konkurrencën dhe barazinë në tendera, duke favorizuar kompaninë e punëtorëve të Kovaçit dhe të vetë babait të ish drejtorit të Ujësjellësit Durrës.

Spartak Kovaçi ka qenë për shumë vite drejtues i ish-Ujësjellësit të Durrësit, duke sjellë falimentimin e kompanisë shtetërore, e cila deri në kohën që ka qenë Kovaçi ka qenë në varësi të Bashkisë Durrës. Ish drejtori njihet si person me ndikim në fushatën zgjedhore të Durrësit dhe ka qenë në qendër të akuzave nga Partia Demokratike.

Skandalet dhe përdhosja e ligjit nga Kovaçi do të kulmonte kur me anë të kompanisë “ADRIATIK” sh.p.k, në pronësi të babait të vet Petrit Kovaçi do të merrte tenderin me vlerë 20 milionë nga Programi i Rindërtimit së bashku me dy kompani të tjera. Ky është vetëm njëri nga tenderat që tregoi se Rindërtimi nuk ishte një fatkeqësi që nisi dhe mbaroi me tërmetin, por katastrofa natyrore evidentoi se kompanitë e familjarëve të zyrtarëve të lartë përfituan fonde publike në shkelje të ligjit.

Madje kjo kontratë ka patur probleme me zbatimin dhe realizimin e punimeve, gjë për të cilën Bashkia Durrës pretendon se ka bërë amendime të kontratës.

Por cilët janë tenderat që këto kompani kanë marrë nga Hekurudha Shqiptare?

Kompania e babait të Kovaçit së bashku me kompaninë “ERIL B&B” në pronësi të njerëzve që kanë punuar për babain e Kovaçit kanë marrë kontratat “Rikonstruksion i reparteve dhe linjave hekurudhore te NJSHML” me vlerë 50 mijë euro dhe kontratën “Punime për mbrojtjen e linjës”.

Për tenderin e parë kompanitë janë shpallur fitues në qershor 2019, por saga e këtij tenderi i ka problemet që në gjenezë. Konkretisht në shkurt 2019, grupi që ka hartuar dokumentet, specifikimet teknike i ka me mangësira. Sipas auditit rezulton se projektet nuk janë shoqëruar nga licencat e projektuesve me kategoritë përkatëse. Në këto raste është e domosdoshme që personat përgjegjës për realizimin e projektit duhet të jenë të licencuar sipas kategorive të punimeve që do të kryhen.

Sipas audituesve, këto kushte janë në shkelje të veprimeve të VKM-së nr. 759, datë 12.11.2014 “Për licencimin profesional të individëve dhe subjekteve juridike që do të ushtrojnë veprimtari në fushën e studimit e të projektimit në ndërtim dhe mbikëqyrjes e kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim”.

Ka qenë Agjencia e Prokurimeve Publike, e cila në maj 2019 ka dërguar e-mail Hekurudhës Shqiptare pasi ka zbuluar probleme me Dokumentet Standarte të këtij tenderi.

Tenderi tjetër që është me flamur të kuq për shkak të shumë problemeve lidhet me “Punime për mbrojtjen e linjës”, i cili është fituar në nëntor 2019 nga kompania punonjësve të babait të Spartak Kovaçit së bashku me kompaninë “VARAKU E” (Ish MIVAR) në pronësi të Shpëtim Varakut me ofertë fituese 17,7 milionë lekë ose 150 mijë euro.

Por cilat janë problemet me kontratën?

Dy indicie përbëjnë një provë, thonë italianët. Edhe në këtë rast problemet e kanë zanafillën nga Komisioni i Hartimit të Dokumenteve, të cilat ngrenë dyshime se ky grup mund të ketë patur ndikime apo instruksione nga hierarkia më e lartë e institucioneve.

Në dokumentet e tenderit nuk ka të dhëna mbi traversat që do të përdoren si edhe vizatime për to, konkretisht për “Punime për mbrojtjen e linjës Zhame km 40+050 perigoni Rrogozhine-Lushnje” dhe “Ndërtim mure pritës ne km 67+050 perigoni Lushnje-Fier (Gogolas)”. Në asnjë rast, në specifikimet teknike edhe në vizatime nuk janë dhënë përmasat dhe kriteret që duhet të zbatohen për traversat.

Edhe arsyetimi për nevojën e prokurimit për “Punime për mbrojtjen e linjës” ngre pikëpyetje pasi edhe këto dokumente janë të paqarta. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, komisioni bazohet te një dokument pa numër dhe datë, ku jepet arsyetimi i rrëshqitjeve të trasesë, dëmtimi i veprave të artit nga rrëshqitjet si dhe dëmtimi i mureve mbajtës dhe pritës ekzistues nga rrëshqitja e dherave, bllokimi i kanaleve kulluese, etj., dhe përmbytjet, por nuk i jep të specifikuara sipas linjave.

Auditi zbulon se në procesverbalin e Njësisë së Hartimit të Dokumenteve të Tenderit kemi shkelje të ligjit pasi nuk janë zbatuar përcaktimet e nenit 61 të VKM-së nr. 914, datë 29.12.2014, “Për rregullat e prokurimit publik”, në të cilin është përcaktuar se çdo kriter i veçantë dhe specifikim teknik duhet të argumentohet teknikisht dhe ligjërisht, si dhe të dokumentohet në një procesverbal.

Kujtojmë se ky tender ka dështuar të finalizohet herën e parë dhe është rishpallur procedura e dytë, ku është lidhur kontratat me bashkimin e operatorëve ekonomikë.

Më 28 shtator 2019, Agjencia e Prokurimeve Publike nisur edhe nga fakti që tenderi është rishpallur i ka bërë adresime Hekurudhës Shqiptare që ti plotësojë Dokumentet Standarte konform rregullave.

Kjo kontratë ka patur probleme me zbatimin, probleme të cilat ngarkojnë me përgjegjësi kompanitë dhe institucionin publik. Sipas auditit është zbuluar se mungon sinjalistika hekurudhore, si ajo që nevojitet për makinistët e trenave, por edhe sinjalistike për këmbësorët ose automjetet që kalojnë kryqëzimet hekurudhore. Madje Hekurudha Shqiptare nuk ka marrë asnjë masë për saktësimin e distancës së linjave hekurudhore, duke vështirësuar kryerjen e verifikimeve në terren, në lidhje me investimet e deklaruara.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ngritur alarmin në lidhje me këto punime pasi ndikimi, që ato kanë lidhet me rritjen e rrezikun për aksidente hekurudhore në të ardhmen.

Kovaçi është pjesë e rrethit të Ballukut, grup i cili ka përfunduar nën hetim SPAK. Ish drejtori është kushuriri i Ceno Klosit, zv.ministri i Infrastrukturës i cili ashtu si Kovaçi është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.

 ()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook