Kapshtica po përballet me një fluks të lartë mjetesh në hyrje nga Greqia. Sipas informacioneve të fundit, mësohet se fluksi është shkaktuar që prej palës greke, e cila aktualisht po punon me 6 sportele në dalje.
Ndërkohë, pala shqiptare ka vënë në funksion 7 sportele në hyrje për të përballuar fluksin në rritje. Shumë emigrantë janë nisur drejt Shqipërisë me rastin e festës së Pashkës, ndërsa prej disa minutash situata është rënduar për shkak të numrit të madh të mjeteve që po hyjnë në vend në këto momente nga shteti fqinj.
Autoritetet kanë përgatitur një plan masash për të menaxhuar fluksin e shtuar, pasi pritet që mbrëmja e sotme dhe dita e nesërme të shënojnë pikun e kalimeve në doganën e Kapshticës.
Sipas statistikave nga pika e kalimit kufitar, bëhet me dije se në Kapshticë prej orës 12 të paradites së sotme deri më tani, kanë hyrë 6489 shtetas dhe 2678 mjete. Nga hyrjet e emigrantëve, shqiptarë janë 4018 shtetas, ndërsa shtetas të huaj 1108.
()