Tirana dhe e gjithë Kategoria Superiore do të luajë 180 minutat e fundit. Veç kreut të renditjes, që është histori më vete, fundi rezervon një “triller” të vërtetë.
Nga Teuta e vendit të gjashtë, deri te Laçi i vendit të 10-të me 33 pikë, skuadrat janë në fashën e pesë pikëve. Tirana është e teta me 36, ndërsa duhet të luajë me Teutën, një kundërshtar direkt. Rëndom, në fund, disa skuadra mund të jenë me pikë të barabarta dhe tri vendet që të rrezikojnë kategorinë nuk janë iluzion. Po si qëndron Tirana në krahasim me katër skuadrat e tjera dhe, në rast barazimi pikësh në javën e 36-të, kë lënë poshtë kryeqytetasit?
ME BYLISIN – Ndaj ballshiotëve, Tirana ka marrë tetë pikë, kundrejt dy të Bylisit. Në këtë anë, është e avantazhuar dhe lë poshtë ballshiotët. Edhe në golavarazh është 11-4, pra shumë superiore ose +7. Bylisin e mund, nëse do të ketë pikë të barabarta.
ME LAÇIN – Ndaj kurbinasve, historia është pak më ndryshe. Si Tirana, dhe Laçi, kanë marrë nga pesë pikë, pasi kanë nga një fitore dhe dy barazime. Bardheblutë ia dalin te golaverazhi, pasi e kanë 6-5 ose +1, duke lënë edhe këta poshtë në rast barazimi pikësh.
ME SKËNDERBEUN – E njëra histori edhe me Skënderbeun. Fiton jo vetëm te pikët, por edhe te golaverazhi. Kryeqytetasit kanë dy fitore dhe dy barazime, të përkthyera në 8 pikë, kundrejt dy të Skënderbeut. Më pas, edhe golaverazhi është 4-2.
ME TEUTËN – Skuadra e vetme që e mund Tiranën në përballjet direkte, është Teuta. Durrsakët kanë marrë 7 pikë ndaj Tiranës, kundrejt 1 të bardhebluve. Edhe golaverazhi është minus tre. Cilido të jetë rezultati në sfidën e së shtunës, historia dihet. Teuta, në rast barazimi pikësh, është më lart se Tirana.OL